Ish-shefi i SHISH-it, Fatos Klosi, ka deklaruar mbrëmë në ‘Komitetin’ e Gazetës Express se dikur Shërbimi Informativ i Shqipërisë, kishte arrestuar ministrin aktual të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai gjithashtu ka thënë se themeluesit e UÇK-së ishin ithtarë të politikës së diktatorit Enver Hoxha.
Xhavit Haliti, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për “Zërin” se Thaçi ishte i ndaluar në vitin 1997 nga Policia Shqiptare dhe që nuk ka qenë i arrestuar.
Sipas Halitit, ndalimi i Thaçit nuk kishte qëllime për ta goditur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ndër të tjera Haliti thotë se për lirimin e tij kishte intervenuar vet ai.
“Kjo punë dihet botërisht, Hashim Thaçi ka qenë i ndaluar në vitin 1997. Në atë kohë kanë qenë turbullirat e famshme, si dalja e armëve. Thaçi është ndaluar nga policia shqiptare dhe jo arrestuar, arsyeja e ndalimit ka qenë bartja e armëve, dhe për këtë ndalim kam intervenuar unë për t’u liruar Thaçi”.
“Nuk mendoj se ka qenë ndonjë qëllim që të goditet UÇK-ja sepse ne kemi pasur segmentet e shtetit por secila polici e shtetit kur ndalon persona me armë e shoqëron në polici”, ka thënë Haliti./express/