Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti ka deklaruar se ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati e ka bllokuar buxhetin e kësaj komune.
Në emisionin “Fol me Arin”, Haliti thotë se këtë, Murati po e bën në mënyrë të paligjshme, dhe bën thirrje të merren masa shumë shpejt.
“Atë buxhet na e ka bllokuar tërësisht ministri i Financave në mënyrë paligjshme. Unë nuk di qysh guxon me vepru ai, është penale çfarë është duke bërë Ministria e Financave. Duhet me u kujdes dikush shpejt”, tha ai.
Pos tjerash, i pari i Vitisë ka folur rreth mungesës së energjisë elektrike, veçanërisht në disa zona të kësaj komune.
Situatë e vështirë paraqitet në Pozharan, për të cilët Haliti thotë se si shkak i ndërprerjes arbitrare të rrymës, po shkaktohen defekte madhore.
“Është fakt që me ndriçim po kemi problem kohëve të fundit, dhe jo vetëm në Pozharan, kemi gjithandej. Është e pakuptueshme ndalja e rrymës në këtë kohë kur mërgimtarët kanë ardh,kemi probleme dhe defekte. Ndalja e rrymës në mënyrë arbitrare e pa paralajmërim po shkakton defekte”, u shpreh Haliti.
Megjithatë sipas Halitit, ai ka përgatitur ekipin e tij për të rregulluar këtë çështje, sidomos në Pozharan.
“Për mua është e pafalshme ndalja e rrymës në këtë kohë. Iu premtoj qytetarëve që këto probleme kemi me i rregullu”, tha ai.
















