Haliti ishte kundër prishjes së koalicionit me LDK-në, tash pret që kjo të mos jetë bllokuese

E publikuar: 15/09/2017 22:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaroi se qeveria është shërbëtore e qytetarëve të Kosovës dhe për këtë duhet t’i kryejë detyrat e saja të parapara.

“Nëse LDK-ja i bllokon vendimet, atëherë ata do të dëmtojnë veten. LDK-ja do të jetë në nivel të detyrës, për të kontrolluar qeverinë se sa po i zbaton vendimet për qytetarë”, tha Haliti në televizionin publik.

Haliti ka folur edhe për prishjen e koalicionit me LDK-në.

“Mendimi im ka qenë kundër prishjes së koalicionit. Kanë qenë problemet e vendimmarrjes në qeveri dhe ka qenë një kërkesë e PDK-së dhe tani më s’ka arsye të diskutohet më ky problem. Tani kemi një qeveri të votuar nga Kuvendi i Kosovës dhe kjo tani duhet të diskutohet, duhet apo jo kritikuar punën e qeverisë dhe Kuvendit. Koalicioni i që ishte ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, ka funksionuar mirë, por më vonë u shfaqën ato probleme”, tha Haliti.

Ai bëri me dije se ka pritur që do të zgjasë më shumë bllokada politike.

“Sidoqoftë është sukses i koalicionit parazgjedhor që ka arritur të krijojë institucionet. Nuk është e kënaqshme që kemi kaq deputetë, pra më pak, por ky është realiteti. Unë pres që kjo qeveri të punojë në zhvillimin ekonomi, luftimin ndaj korrupsionit dhe krimit, të angazhohet për zhvillimin e arsimit, shëndetësinë etj”, tha Haliti.

Sipas tij kësaj radhe pozita nuk do të mund të bllokojë ligje që janë në interes të një interesi. Pra do të ketë më shumë kontrolle dhe do të ketë më shumë kalime profesionale.

Edhe për gjuhën që është përdorur në Parlament, Haliti ka thënë se deputetët nuk kanë të drejt të përdorin thirrje.

“Çfarëdo gjuhe që është jashtë rregullave është gjuhë jo parlamentare. Të gjithë të zgjedhurit jemi zgjedhur për punë, jo për t’u rrahur”, tha ai.

Sipas tij Kosova dhe shoqëria sot është shumë e përçarë. “Interesi është shndërruar se kush kujt, po ia bënë gropën. Është të shahet. Nuk kemi nevojë të jemi kështu. Duhet të dërgojmë mesazh që na obligon kushtetuta”, tha Haliti.