Sibel Halimi, drejtoreshë për Kulturë në Prishtinë dhe anëtare e LDK-së, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Ajo i ka cilësuar deklaratat e Kurtit si shprehje të një “mendësie shpelle” dhe ka akuzuar pushtetin qendror për bllokimin e qëllimshëm të projekteve të kryeqytetit.
Sipas saj, institucionet janë të paralizuara, vendi është pa Parlament funksional dhe qyteti po mbahet peng nga një “mentalitet i kalbur”.
“Mendësi shpelle, ky është realiteti që vazhdon të mbysë çdo ide, çdo iniciativë dhe çdo përpjekje për ta bërë Kryeqytetin një vend më të jetueshëm dhe më dinjitoz. Në vend që të mbështesin punën dhe përkushtimin, gjejnë kohë vetëm për cinizëm të paskrupullt dhe bllokada të vazhdueshme. Është e pabesueshme ku kemi përfunduar: pa Parlament, me institucione të paralizuara dhe me barriera të vendosura me qëllim, vetëm për ta mbajtur vendin peng të një mentaliteti të kalbur”, ka shkruar ajo në Facebook.
Në fund, Halimi u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e pranojnë më bllokimin si diçka normale dhe të marrin përgjegjësi për të çuar përpara përparimin e kryeqytetit.



















