Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për mosemërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë.
Halimi tha se shëndetësia kosovare është pa ministër që 90 ditë dhe Kurti sorrollatet poshtë e përpjetë në Evropë.
“Qeveria Kurti është pa ministër të Shëndetësisë tash e 45 ditë. Por, kjo s’është hera e parë që kjo pozitë u la bosh. Qeveria Kurti ishte pa ministër të Shëndetësisë edhe 45 ditë tjera në vjeshtën e vitit të kaluar. Pra, 90 ditë Qeveria Kurti s’ka pasur ministër për dikasterin më problematik dhe që prek direkt qytetarët e vendit. Kryeministri sorollatet poshtë-e-përpjetë nëpër Evropë, e këtë vit 191 mjekë kanë ikur nga Kosova, atdheu i tyre”, tha Halimi.
Ajo theksoi se në Kosovë, mjekëve që punojnë në shëndetësinë publike po iu rrezikohet ekzistenca.
“Shëndetësisë publike – pra, ajo shëndetësi që na takon të gjithëve, ajo shëndetësi e njerëzve që s’janë të pasur – i rrezikohet ekzistenca. S’ka rritje të pagës për mjekët që kanë mbetur, që nënkupton se ka heqje dorë nga luftimi i motivit të tyre për të ikur. As Ligji i Pagave s’duket kurrkund në horizont. S’mungojnë veç ministri e mjekët, por edhe barnat esenciale’, theksoi ajo.
I fundit, që e pati këtë pozitë ishte Rifat Latifi.
Ai dha dorëheqje nga kjo pozitë më 6 tetor.