Tirana rikonfirmon trajnerin Ilir Daja në krye të stolit edhe për sezonin ardhshëm. Ashtu sic edhe pritej në një konferencë për shtyp të organizuar në ambientet e klubit bardheblu ku përvec teknikut 49 vjecar ishte i pranishëm edhe presidenti Refik Halili, ky i fundit konfirmoi qëndrimin e Ilir Dajës në stol ndërkohë që shpalosi edhe objektivat e Tiranës për sezonin e ri. Në shtëpinë e 24-herë kampionëve të Shqipërisë, janë në pritje të vendimit përfundimtar të Uefas, nëse Tirana do të marrë pjesë në Europa League, pas përjashtimit të Skënderbeut nga Kupat e Europës për të nisur përgatitjet. Fillimisht fjalën e mori presidenti Halili i cili përvec se vlerësoi trajnerin Daja, foli edhe për merkaton dhe shumë tema të tjera.
Më pas rradhën e kishte trajneri Ilir Daja i cili falenderoi presidentin për besimin që ka dhënë duke theksuar se do të përpiqet të bëjë më të mirën për Tiranën edhe në sezonin e ri.
Nga Daja te Halili, në pritje të përgjigjes së Uefas, presidenti nënvizoi se Tirana në ndryshim nga vitet e kaluara këtë herë do të zhvillojë një merkato të mirëmenduar, në mënyrë që të përmbushë të gjitha kërkesat e trajnerit por edhe pritshmëritë e tifozëve.
Por cili do të jetë objektivi i parësor i Tiranës në sezonin e ri, trajneri Daja nuk nxiton të japë një përgjigje ekzakte edhe pse kur bëhet fjalë për presidentin Halili, situata ndryshon.