Analisti dhe publicisti Halil Matoshi po e përkrah thirrjen e Lëvizjes Vetëvendosje për demonstrata.
“Sot jam me Lëvizjen Vetëvendosje!”, shkruan Matoshi në rrjetin social Facebook.
“Shqiptarët duhet të ngrihen në demonstrata qytetare dhe të kërkojnë largimin e Gruevskit. Këto demonstrata duhet të mbahen në Shkup. Qendra politike e shqiptarëve është Shkupi. Gruevski rrëzohet në Shkup e jo në lagje e fshatra të Kumanovës”, e citon Matoshi thirrjen e bërë nga VV.
Matoshi fton që shqiptarët të kenë kujdes pasi që sipas tij të shtënat në Kumanovë po e shpëtojnë Qeverinë e Gruevskit dhe Ahmeti.
“”Lufta” në Kumanovë ishte pa krye dhe pa qëllim të qartë, grupet misterioze rebele nuk i ndihmojnë zgjidhjes se problemit të shqiptarëve në FYROM. Të shtënat në Kumanovë po e shpëtojnë Qeverinë e Gruevskit dhe Ahmetit, prandaj shqiptar kujdes! Bashkimi me qytetarinë aktive maqedonase kundër Qeverisë është rruga e vetme e drejtë! secili plumb i shkrepur aktualisht dëmton jo vetëm pozitën e shqiptarëve në FYROM por edhe republikën e Kosovës”, shkruan më tutje Matoshi në facebook-un e tij.
E sa i përket Republikës së Shqipërisë, Matoshi fton që të lihet e qetë, pasi sipas tij ky vend boll i ka sfidat e veta transicionale, për siç thotë ai ‘me u ba shtet modern dhe me iu bashkue BE-së’.
“Vetëm kjo Shqipni u duhet shqiptarëve!”, përfundon Matoshi .