Hajdari: Kurti kurrë nuk ua falë veteranëve “fajin”, ata guxuan kur ai nuk guxonte

E publikuar: 06/06/2022 20:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Hajdari, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po i trajton me dinjitet veteranët, pasi që, sipas tij, ajo nuk do veteranë të dinjitetshëm.

Përmes një postimi në Facebook, Hajdari ka thënë se kryeministrit nuk i kanë asnjë faj veteranët, “përveç një faji që ai nuk ua fal kurrë: ata guxuan, kur ai nuk guxonte”.

Postimi i plotë i anëtarit të kryesisë së PDK-së:

Veteranët janë fundamenti i shtetit.

Asnjë vendi të lirë nuk i mungojnë veteranët e luftës, sepse ata, parimisht, janë arsyeja e lirisë. Shtetet i trajtojnë ata me dinjitet, jo vetëm ekonimikisht, por patjetër që edhe ekonomikisht.

Ky nuk është rasti, sidoqoftë, me Kosovën. Qeveria nuk i trajton me dinjitet veteranët, sepse ajo nuk do veteranë të dinjitetshëm.

Në vend të “Thank you for your service!” Që është formulë respekti ndaj veteranëve në SHBA, Qeveria Kurti iu jep atyre injorim, anashkalim, përbuzje.

Veteranët kryeministrit nuk i kanë asnjë faj, përveç një faji që ai nuk ua fal kurrë: ata guxuan, kur ai nuk guxonte.

Është shqetësuese, por qeveria ka vendosur të mos shqetësohet. E mosshqetësimi është themel i sistemeve të kalbura. Pavarësisht ç’ndodh poshtë, ata lart nuk preken, nuk shqetësohen, prandaj edhe nuk ndiejnë shtysë për të vepruar.

Është për keqardhje, që Qeveria e ka harruar edhe ndjenjën e keqardhjes!