Hahn publikon sot Raportin e Progresit për Kosovën

E publikuar: 10/11/2015 09:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas tri shtyrjeve të datave për publikimin e Raportit të Progresit për vendet kandidate dhe për ato potencialisht kandidate, Komisioneri Johannes Hahn do të prezantojë të martën në mëngjes raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Turqinë.

Komisioneri Hahn do të prezantojnë Raportet e Progresit 2015 për vendet kandidate por edhe për vendet potencialisht kandidate për anëtarësim në BE para komisionit për politika të jashtme të martën në orën 9 të mëngjesit, raporton Koha.net.

Komisioni do t’i adoptojë raportet vjetore për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjën, Malin e Zi, Turqinë dhe Serbinë, ndërsa si zakonisht, Hahn do t’ua prezantojë raportet fillimisht eurodeputetëve.

Hahn, i cili javën e kaluar qëndroi në Kosovë, gjatë një takimi që zhvilloi me kryeparlamentarin Kadri Veseli, theksoi se pret një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Raporti i Progresit për vendet kandidate dhe për ato potencialisht kandidate po publikohet pas tri shtyrjeve që u bënë: së pari ka qenë e planifikuar të publikohet në fillim të tetorit dhe më pas më 24 tetor.