Hahn po takon liderët në Maqedoni

E publikuar: 15/01/2016 15:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Maqedoni po qëndron komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johanes Hahn, i cili është takuar me partitë kryesore politike ne vend, të cilat janë nënshkruese të marrëveshjes politike për tejkalimin e krizës politike.

Më vonë është paraparë një takim i përbashkët, ku në qendër të vëmendjes, siç ka theksuar Hahn në profilin e tij në Twitter, do të jetë “kërkesa për përgjegjësi nga të gjithë liderët politik, për zbatimin e marrëveshjes politike”.

Ai të premten është deklaruar shkurt për medie.

“Momentalisht nuk kam çfarë të deklaroj, mund t’u them se shpresoj që dita do të jetë e mirë”, ka thënë Hahn.

Ndërkaq, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev nga lidhja Social-demokrate e Maqedonisë, pas takimit me komisionarin Hahn, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, në datën e përcaktuar, ose shtyrja e eventuale e zgjedhjeve, është ngushtë e lidhur me pastrimin e listës zgjedhore dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve në një frymë demokratike.

Ndërsa, pas takimit me Hahn, kryeministri në dorëheqje, Nikolla Gruevski nuk është prononcuar për medie.

Përderisa për liderin e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin, shtyrja e datës së mbajtjes së zgjedhjeve nënkupton thellim të krizës politike në vend.

Në pyetjen se a ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në frymë demokratike, në përputhje me kriteret që janë përcaktuar nga faktori ndërkombëtar, Ahmeti e ka hedhur topin tek institucionet shtetërore, të cilat, sipas tij, “duhet t’i përveshin krahët dhe t’i vërtetojnë kushtet për zgjedhje demokratike”.

Ndërkohë, dorëheqja e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, është dorëzuar të premten edhe në parlamentin e Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, përmes një komunikate me shkrim ka theksuar se tanimë ka pranuar letrën e dorëheqjes së kryeministrit Gruevski.

Ai është zotuar se si kryetar i Kuvendit do të veprojë në përputhje me detyrimet kushtetuese, ligjore dhe të rregullores për punën e Kuvendit.

Veljanovski theksoi se, duke marrë parasysh obligimet e marra nga liderët politikë, do të ndjekë rrjedhën e bisedimeve të së premtes, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

Nga ana tjetër, VMRO – DPMNE ka propozuar që sekretarii përgjithshëm i kësaj partie, Emil Dimitriev, të jetë kryeministër i qeverisë kalimtaretransmeton rel.

Në bazë të marrëveshjes politike mes katër partive kryesore politike në Maqedoni, të arritur me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, kryeministri duhet të tërhiqet 100 ditë përpara datës së caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara me 24 prill 2016, në mënyrë që të krijohen kushte për organiziminzgjedhjeve në frymën demokratike.