Hahn në Beograd: Zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën, parakusht i rëndësishëm për anëtarësim në BE

E publikuar: 05/12/2016 13:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komesari i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn do të qëndrojë sot në Beograd. Siç raportojnë mediet serbe, ai me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes financiare për mbështetje të transformim të administratës publike, që kap vlerën e 80 milionë eurove.

Komesari Hahn para kësaj vizite deklaroi se “Serbia i përket familjes së Bashkimit Europian dhe ajo po bën përparim të jashtëzakonshëm në drejtim të qëllimit strategjik, anëtarësimit në BE”.

Mediet e Beogradit transmetojnë përgjigjen e komisarit të BE-së për Zgjerim nëse ka ndonjë vend të BE-së që kundërshton hapjen e kapitujve të rinj, sipas të cilës shtetet anëtare të BE-së do të pajtohen që të hapen kapituj të rinj me Serbinë.

“Të gjithë me mirëseardhje e presim Serbinë në familjen europiane, të cilës ajo i përket. Nuk duhet të kihet dyshim këtu”, u shpreh Hahn.

“Ndërsa implementimi nga ana e Serbisë, përkushtimi i sinqertë ndaj detyrimeve të veta për sundimin e të drejtës dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Kosovën, janë parakushte të rëndësishme”, ka thënë komisari i BE-së, Johannes Hahn, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se Serbia ka zgjedhur të angazhohet në një proces pa dyshim të rëndë me Kosovën dhe se Qeveria e Serbisë ka treguar se ka guxim dhe përkushtim.

“Kosova ka sfidat e veta, kjo është e vërtetë, por Serbia duhet të mbështetet në vendosmërinë e saj që të përmbushë detyrimet nga dialogu. Është në interesin e Serbisë të jetë konstruktive dhe të arrijë përparim në këtë pikëpamje. Ajo që pritet nga negociatat (BE-Serbia) për aderim është normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës. Kjo duhet të materializohet në fund të procesit, përmes marrëveshjes juridike detyruese”, ka rikujtuar komisari europian.