“Lani vazhdimisht duart”, kjo është një nga thirrjet që po dëgjohet gjerësisht këto ditë dhe për t’iu përmbajtur në mënyrë fanatike këtij apeli, një pasagjer në Londër është parë me një lavaman me vete, për të larë duart, teksa ishte duke udhëtuar me anë të transportit hekurudhor.
Për të mos mjaftuar kjo masë, ai kishte vendosur dhe një helmet motoçiklisti për të minimizuar mundësinë e infektimit me COVID-19. I riu nuk ka ngurruar të kryej të gjitha procedurat parandaluese edhe pas shikimeve të habitur nga udhëtarët e tjerë. Ai nxjerr një shishe me ujë dhe fillon të pastrojë duart, më pas i lyen ato me dezinfikantë dhe vesh i pa trazuar dorezat e verdha.
Disa e shikonin me habi djaloshin, ndërsa disa të tjerë qeshnin dhe nuk hezituan që të nxirrnin celularët e tyre për të filmuar të gjithë momentin. Ndërkohë në vazhdën e masave parandaluese autoritetet kanë nisur të gjithë dezinfektimin e autobuzave dhe trenave, për të minimizuar në këtë mënyrë mundësinë e përhapjes së virusit famëkeq. Nga krahu tjetër qytetarët duket se janë sensibilizuar me situatën kaotike dhe shihen të pajisur me maska dhe doreza.