Më shumë se 1 vit hetime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë përfunduar mbrëmjen e djeshme me sekuestrimin e të paktën 4.5 ton kanabis, sipas burimeve policore.
Pikërisht përfundimi i këtij aksioni do të çojë sot në Vlorë, kryeprokurorin Adriatik Llalla. Ky i fundit do të zhvillojë në orën 11:00 një takim me prokurorët e Vlorës dhe ata të Krimeve të Rënda që ndodhen aty, për hetimin që është bërë.
Përveç aksionit, Llalla mësohet se do të kërkojë edhe informacione në lidhje me grupin e Habilajve, njerëzit që bëjnë pjesë, kush ka punuar me ta dhe oficerët e policisë që dyshohet se janë bërë bashkëpunëtorë të Moisi dhe Florian Habilajt.
Pas këtij takimi, kryeprokurori Llalla do të zhvillojë një tjetër takim, këtë herë në Prokurorinë e Lushnjes. Në këtë takim, fokusi do të vendoset tek krimi i rëndë i ndodhur pak ditë më parë, ku u vranë dy të rinj dhe ku janë hetimet.


















