Gregor Guy Smith, avokati amerikan i angazhuar tash e disa kohë në mbrojtën e ish-ushtarakëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë mysafir i Baton Haxhiut në Zona e Debatit. Ai ka folur për rastet në të cilat ka marr pjesë si palë mbrojtëse, për “Rastin Drenica”, themelimin e Gjykatës Speciale, përshtypjet e tij rreth situatës së përgjithshme të drejtësisë në Kosovë dhe për shumë çështjet të tjera.
Gregory Guy Smith 4 0:00, 18 Shtator 2015
Mysafir special në Zona e Debatit në Klan Kosova këtë enjte ishte Gregor Guy Smith, avokati amerikan që mbron Sylejman Selimin në “Rastin Drenica”, por edhe ish-mbrojtësi i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinja, në tribunalin e Hagës.
Guy Smith, që bashkë me avokatin kosovar, Tomë Gashi, ka një kompani të avokatisë në Kosovë, në Zona e Debatit, përballë Baton Haxhiut, është pyetur për rastet ku ai i ka marrë përsipër për të mbrojtur klientët e tij, kryesisht ish-ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për themelimin e Gjykatës Speciale, drejtësinë në Kosovë, njohjen e realitete kulturor-politik dhe shumë çështjet të tjera.
I ftuari i Zonës së Debatit, ka treguar se angazhimi i tij në Kosovë, fillimisht ishte mjaftë i vështirë, për shkak edhe të mosnjohjes së kulturës shqiptare.
“E kam mësuar historinë me anë të librave. Por diçka që më ka ndihmuar shumë ka qenë leximi i Kanunit.
“Besoj se kanuni është një përpjekje gjithëpërfshirëse, pasi që Kanuni përbënë një tërësi ligjesh”.
Ai ka thënë se ka mësuar shumë edhe nga njerëzit.
“Kam kuptuar që çfarë nënkupton të jesh kosovar, por nevojitet kohë për ta mësuar kulturën, duhet të njohësh edhe dallimet kulturore.
Duke folur për përvojat e kaluar, avokati amerikan ka deklaruar se kur bëhet fjalë për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës shpesh për të dyshuarit krijohet bindja e pabazuar se ata janë të fajshëm.
Kështu kishte ndodhur edhe me Ramush Haradinajn në Hagë, thotë Gay Smith.
“Njëra prej gjërave që ndodh shumë shpesh është që gjykatësit e marrin pozitën dhe thonë se ky lloj i informatave jo domosdoshmërish është i nevojshëm për ta”.
“E vërteta e cila perceptohet shumë shpesh është jo e saktë. Hetuesit e kanë një besim se kush është fajtor dhe nuk përballen me faktet në terren”.
“Një rast i tillë ishte edhe me zotin Haradinaj i cili është thënë se ka kryer një akt kriminal në kohën kur ka qenë klient i im”, ka deklaruar Guy Smith.
“Realisht ka qenë një perceptim i hetuesve pa u përputhur me situatën në terren. Por gjykata e ka kuptuar që perceptimet e sjella nga prokuroria ishin të pa sakta”.
“Barra e provës mbetet mbi prokurorinë të dëshmoj se ekziston fajësia”.
Kurse për “Rastin Drenica”, në të cilin ai mbron Sylejman Selmimin, Gay Smith ka deklaruar se është njëri nga rastet më të komplikuara dhe të çuditshme, në të cilat ai ka qenë palë mbrojtëse.
“Rasti i Drenicës sa më përket mua si jurist është një nga rastet më të komplikuara që unë kam qenë i përfshirë. Duke u bazuar në të gjitha parimet dhe rregulluat e drejtësisë unë shpesh pyes si është e mundur të ndodh kjo”, ka thënë avokati.
Guy Smith, gjithsesi, beson se do ta fitojë këtë rast, por, sipas tij, lufta e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vazhdojë.
“Shpresoj se për ‘Rastin Drenica’ gjykata t’i lirojë të gjithë këta zotërinj”.
“Por do të ketë një seri rastesh të cilat do të paraqitën para një gjykate të re të cilën e ka miratuar Kuvendi i vendit tuaj dhe lufta nuk do të përfundojë, por do të vazhdojë”.
Guy Smith, ka folur edhe për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, për të cilën tha se ishte e panevojshme dhe është bërë nën presione të caktuar politik, derisa për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka deklaruar se ajo nuk kishte të kaluar kriminale.
“Besoj që do ta shohim edhe në të ardhmen që UÇK-ja nuk ka qenë kriminale”.
“Ky institucion nuk është dizajnuar për pastrim te njerëzve. Një prokuror nuk e ndjek penalisht dikë për ta pastruar atë, ata do të mundohen ta dënojnë një anëtarë të organizatës në mënyrë që ta pastrojnë organizatën për të cilën këta njerëz kanë luftuar dhe kjo nuk është e logjikshme”.
“Çështja është pse e krijoni një Gjykatë të tillë? Cili është qëllimi i një gjykatoreje në cilindo sistem drejtësie dhe shoqëri?”, ka pyetur Guy Smith.
“Nëse arsyeja është që t’i përgjigjet presionit politik çfarëdo qoftë ai, i brendshëm ose i jashtëm, atëherë e vendosni tërë sistemin e drejtësisë në një rrezik të panevojshëm”.
“Të krijohet një institucion në bazë të frikës, atëherë është një drejtësi që qysh në instancën e parë është drejtësi paragjykuese. Si siguroheni që gjykimi do të jetë i barabartë. Qysh nga fillimi në gjykatore ka një dozë paragjykimi”.
“Është një situatë ku presionet politike janë bërë mbi një vend të sapoformuar që ka shumë sfida para tij”.
“Ky vend ka marrë një vendim përmes Kuvendit, ka zgjedhur që t’i nënshtrohet presioneve të jashtme. Gjithkush që ka qenë në Kosovë, ambasadorë të shumtë, diplomatë të shumtë, e kanë deklaruar rëndësinë e këtij institucionit të veçantë”.
“Ajo çfarë nuk kuptoj sot as dje ndoshta as nesër, nuk e kuptoj se a janë të gatshëm njerëzit e Kosovës që të përballen me një sistem të duhur të drejtësisë”.
Guy Smith ka deklaruar, po ashtu se nuk ka pasur bazë për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Si mund të ndërtoni një Gjykatë mbi shpinën e asaj shtëpisë së verdhë. Si mund të bëhet kjo? Unë besoj që ka pas një debat të madh në atë kohë kur doli raporti dhe ai raport u kërkua nga instanca të caktuara”.
“Unë personalisht nuk jam shkencëtar politik, kam qenë një jurist i përfshirë edhe në raste politike. Nuk e kuptoj arsyen pse një Gjykatë e tillë si kjo është e domosdoshme për shëndetin dhe progresin e vendit si Kosovë”.
“Bazuar në përvojën time me rastet e luftës, ajo çfarë do të ndodh pas funksionalizimit të kësaj Gjykatë është se lufta do të vazhdojë, ajo nuk do të ndalet”.
“Nuk do të ketë të përfshirë plumba nuk do të ketë gjakderdhje, por ndikimi i luftës mbi kombin do të jetë i konsiderueshëm. Efekti psikologjik dhe sociologjik do jetë i konsiderueshëm”, ka pohuar Gregor Guy Smith
“Gjykata nuk ndërtohet për të pastruar emrin e ndonjë individi apo ndonjë organizate”.
“Kjo duhet të bëhet e qartë”.