Më 19 shkurt pozita e Shefit të Auditimit të Brendshëm në Bankën Qendrore të Kosovës mbeti bosh.
Vetëm një ditë më parë, Bezad Halilaj, ishte njoftuar se i ka skaduar kontrata.
BQK-ja ka thënë se ligji nuk i kërkon t’i njoftojë punonjësit për mosvazhdim të kontratës në rast të skadimit të saj, edhe pse i njëjti ka të drejtë të ushtrojë këtë detyrë edhe për një mandat tjetër.
Kjo ka shkaktuar pakënaqësi edhe te Halilaj, i cili kishte aplikuar sërish për pozitën e tij të mëparshme, por që nuk ishte zgjedhur.
“Kam qenë kandidati me më së shumti përvojë në auditim në institucionet më të larta shtetërore (Zyre Kombëtare të Auditimit dhe BQK, rreth 16 vjet), dhe me më se shumti përvojë në menaxhim të auditimit (rreth 11 vjet). Kam dëshmuar së paku dy lloj certifikimesh në fushën e auditimit dhe kam ofruar dëshmi të kualifikimeve akademike në master. Bazuar në këto fakte, konsideroj se më është mohuar e drejta për t’u rizgjedhur përsëri, por të drejtën time do ta ndjek përmes rrugëve ligjore”, ka thënë ai.
Ndërkaq, burimet e KOHËS bëjnë me dije që mosvazhdimi i mandatit edhe për gjashtë vjet të tjerë të Halilajt erdhi për shkak të raportit të auditimit të brendshëm që gjeti parregullsi në rekrutimin e stafit të BQK-së.
Por, këtë e ka mohuar Banka Qendrore.
“Asgjë nuk ka të bëjë me punën e tij në Auditimin e Brendshëm, mirëpo thjesht i ka skaduar mandati 6-vjeçar i përcaktuar me Ligjin për BQK-në”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të këtij institucioni.
Por, menjëherë pozita më 20 shkurt u plotësua me një vendim të bordit të BQK-së.
Sipas informacioneve që posedon KOHA, procesi i përzgjedhjes së shefit të Auditorit të Brendshëm, është përcjellë me parregullsi që nga koha e hapjes së konkursit.
Kjo pasi në këtë proces është përfshirë edhe guvernatori i Bankës Qendrore e është anashkaluar Komiteti i Auditimit.
KOHA merr vesh që guvernatori ka emëruar veten edhe kryesues të panelit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve.
Lidhur me procesin, BQK-ja nuk ka dhënë detaje vetëm ka sqaruar kriteret dhe se përzgjedhja e shefit të Auditorit të Brendshëm ka shkuar sipas ligjit.
“Nuk ka pasur asnjë anashkalim të kritereve të përcaktuara me Ligjin për BQK-në dhe kandidati i përzgjedhur i ka plotësuar të gjitha kushtet e mësipërme, përfshirë edhe kërkesat e nenit 40 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Emërimi i Shefit të Auditimit të Brendshëm është bërë në pajtueshmëri të plotë me nenin 60 të Ligjit të BQK-së”.
Sipas Ligjit të BQK-së, shefi i Auditimit të Brendshëm emërohet nga Guvernatori i Bankës, pas miratimit të Bordit të BQK-së.
Në këtë rast, Fehmi Mehmeti ka qenë edhe pjesëmarrës në mbledhjen e këtij bordi.
Shefi i Auditimit të Brendshëm të BQK-së, sipas ligjit për këtë institucion auditon edhe pozitën e guvernatorit e ka mandat gjashtëvjeçar me mundësi edhe të një mandati tjetër.