Borussia Dortmund konfirmon se mesfushori Ilkay Gundogan nuk do ta rinovojë kontratën, duke i hapur derën largimit të tij në fund të sezonit. Lojtari me origjinë turke ndiqet prej kohësh nga Manchester United që është gati të paguajë 30 milionë Euro për ta transferuar në “Old Trafford”. Kontrata aktuale mes palëve skadon në qershorin e vitit 2016 dhe vendimi i mesfushorit për të mos e shtyrë edhe më tej bashkëpunimin, është një sinjal i qartë se Gundogan dëshiron ta vazhdojë karrierën në një klub tjetër. Në rast se Borussia nuk arrin ta shesë gjatë muajve të verës, atëherë rrezikon ta humbasë me parametra zero. Gjatë vitit të fundit, 24-vjeçari është ndalur në bokse për një kohë të gjatë për shkak të një problemi në shpinë.
Gundogan humbi pjesën më të madhe të sezonit të shkuar dhe u ribashkua me ekipin gjatë këtij sezoni por nuk ka arritur të gjejë ende një vend në formacionin titullar të Jurgen Klopp. Gjatë këtij sezoni ai numëron 28 ndeshje zyrtare dhe 3 gola të shënuar. Në garë për mesfushorin janë edhe disa klube të tjera europiane përfshirë këtu edhe Bayernin e Mynihut, prandaj nuk përjashtohet një ankand i mundshëm dhe në këtë mënyrë vlera e kartonit mund të rritet edhe më shumë. Gundogan u bashkua me Borussian e Dortmundit në vitin 2011 pas një eksperience 2-vjeçare në radhët e Nurenberg.