Olimpiku i Marseille nuk di të bëjë dy rezultatet pozitive radhazi në Ligën e Parë Franceze. Në sfidën hapëse të javës së katërt të kampionatit formacioni i trajnerit Michel u mposht 2-0 në transfertë nga Guingamp, që mund të kishte fituar edhe më thellë nëse nuk do të kishte humbur një 11-metërsh. Pa u mbushur dy minuta lojë Lassana Diarra kreu një ndërhyrje të gabuar brenda zonës me gjyqtarin që nuk hezitoi të akordonte 11-metërsh ndërsa për mbrojtësin e Marseilles nuk kurseu kartonin e verdhë. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Sloan Privat, por Mandanda e nuk lejoi ndryshimin e rezultatit.
Gjithsesi, sulmuesi i Guingamp do të korrigjonte shenjestër në minutën e 72-të, duke mos i dhënë asnjë mundësi Mandandas.
Në minutat e mbetura Olimpiku i Marseilles u mundua të reagonte, madje iu afrua golit me Javier Manquillo, por Lossl e mbajti në avantazh Guingampin, që në minutën e 89 shënoi edhe golin e dytë me Benezet, duke marrë tri pikët e para në kampionat./ss/