Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola nuk dëshiron të takohet me Barcelonën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Guardiola udhëhoqi gjigantin Bayern drejt fazës tjetër të garës duke e mposhtur Porton me rezultat të thellë 6:1 në Allianz Arena, pas humbjes 3:1 në duelin e parë në Dragao.
Por, ai nuk dëshiron që në gjysmëfinale të ndeshet me ish skuadrën e tij, ka bërë të ditur e përditshmja sportive katalane “Mundo Deportivo”.
Guardiola ende nuk ka një skuadër të kompletuar në dispozicion. Në ndeshjen kundër Portos për shkak të lëndimeve munguan një numër i madh i futbollistëve kryesorë përfshirë dyshen e mesfushorëve të krahut Franck Ribery e Arjen Robben.
Andaj, Guardiola e konsideron Barcelonën si një prej favoritëve më të mëdhenj për trofeun e kampionit dhe nuk dëshiron të ndeshet me të përderisa nuk e ka skuadrën e plotë në dispozicion.
Ai preferon që nëse i bie të ballafaqohet me gjigantin nga Camp Nou, kjo të ndodh në finalen e madhe në Berlin. Në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve janë kualifikuar edhe Real Madrid dhe Juventus.