Për herë të parë Pep Guardiola rikthehet në Camp Nou, por si vizitor me Bayernin e tij që sigurisht do të kërkojë triumfin. Për shkak të dëmtimeve shpeshta, nuk ka qënë aspak i lehtë ky sezon për teknikun spanjoll, të cilit dhimbjet e kokës i janë shtuar nga mungesat e fundit të Robben e Lewandowskit me listën që plotësohet nga të tjerë lojtarë titullarë si Alaba, Badstuber e Ribery.
Në këto kushte, trajneri i bavarezëve me të drejtë mund të ndihet pesimist, por Guardiola është Guardiola dhe ai mund të sajojë diçka, për më tepër që e njeh me rrënjë e dhëmballë Barcelonën. Pep nuk ka një formulë magjike, por është në epërsi ndaj Luis Enriques sepse ai e shumë mirë se ku qëndrojnë pikat e forta e të dobëta të blaugranave.
Tre janë dilemat më të mëdha në kokën e Guardiolës dhe të treja kanë Messin si kryefjalë. Si mund të ndalet argjentinasi? Si mund t’i reduktohen hapësirat dhe si mund të shkëputet Leo nga pjesa tjetër e skuadrës? Alaba ishte përgjigja, ishte ideali për shpejtësinë e rezistencën dhe në mungesë të tij Guardiola është i detyruar të angazhojë Bernat. Në dy raste spanjolli është përballur me Messin, por në këtë mision ai nuk do të jetë i vetëm sepse do të ketë edhe ndihmën e Lahm dhe Boateng. Nga obsesioni i mbrojtjes antiMessi te dilemat për sulmin. Opsionet për ofensivën nuk mungojnë, por nuk janë ato që do të preferonte Guardiola. Thiago është lojtari më i mirë dhe më i freskët që ka në dispozicion te Bayerni, ndërsa te Barça është Messi. Diferencat mes të dyve janë të mëdha dhe ky është një tjetër argument që e bën me dhimbje koke Pep Guardiolën./supersport/