Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot një fjalim të gjatë në Këshillin e Europës. Ky fjalim ka shkaktuar një reagim të fortë. Madje shenja e parë është fakti që grupi i Partive Popullore Europiane dhe Kristiandemokrate (PPE/DC) kanë anuluar darkën me kryeministrin e Shqipërisë. Në një deklaratë të kreut të këtij grupi Aleksandër Pociej, i cili ka shpërndarë mesazhin me anë të e-mailit, shkruhet se me keqardhje se nuk e kanë pranuar ftesën e Ramës për një darkë pune.
“Me keqardhjen time të thellë, pas ndërhyrjes sot pasdite në Kuvend të Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama, Komiteti Presidencial ka marrë vendim për të refuzuar ftesën e Kryeministrit për një darkë pune,”- thuhet në njoftimin e publikuar nga kreu i grupit të PPE.
Sot, kryeministri Edi Rama kërkoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës që të rrëzonin akuzat kundër Kosovës dhe të pranojnë kërkesën e Shqipërisë, për një raport vijues ndaj atij të Dick Marty-t. Kreu i Qeverisë kërkoi rishikimin e Rezolutës 1782 (të miratuar në vitin 2011) për raportin e Dick Marty, për t’i shpallur të pabazuara akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë. Rama e cilësoi raportin si një lajm të rremë që u shndërrua në rezolutë dhe që po dëmton Kosovën. Por kërkesat e kryeministrit shqiptar shkaktuan debate në seancën plenare, ku disa prej të pranishmëve i cilësuan “akuza të pashembullta”.
Mirëpo edhe Rama nuk heshti, madje u përplas me disa deputetë, atë të Serbisë dhe Greqisë, por edhe me drejtuesin e seancës, i cili e kritikoi për kohën që kishte diskutuar. Madje në një moment kryesocialisti me “përçmim” tha: Më duket sikur jam në parlamentin shqiptar.