Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë shkelje të rëndë ligjore me moszbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
“Pesë vendime administrative të formës së prerë që kanë të bëjnë me realizimin kundërligjor të konkursit për pesë vende pune në Komunën e Prishtinës, është dashur të zbatohen brenda 15 ditëve nga data e marrjes së tyre nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Kanë kaluar muaj të tërë e këto vendime nuk janë zbatuar. Përgjegjës dhe shkelës i drejtpërdrejtë i ligjit është kryetari aktual i Prishtinës Shpend Ahmeti”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Grupi i LDK-së.
Ky moszbatim, sipas grupit të LDK-së nuk është tjetër pos dështim i qeverisjes së Shpend Ahmetit, administrimit dhe transparencës në kryeqytet.
“Një kryetar komune si Shpend Ahmeti, që shkel ligjet dhe vendimet e shtetit, në kryeqytetin me të cilin udhëheq, është sjellje rrënuese e demokracisë, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe është vepër penale. Kryetari Ahmeti duhet t’u tregojë qytetarëve pse ai vetë po i shkel ligjet e Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një arsye më shumë se ata që nuk zbatojnë ligjin duhet të tërhiqen nga qeverisja”, thuhet më tutje në komunikatë të Grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës.
Ky grup kërkon nga organet përgjegjëse të shtetit të ndërmarrë masat e duhura ndaj akterëve të moszbatimit të vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në Komunën e Prishtinës.
Grupi i LDK-së, paralajmëron se do të ndërmarrë hapat legal dhe legjitim që sa më parë të ndërpriten shkeljet ligjore, keqpërdorimi i pozitës zyrtare të Shpend Ahmetit dhe më në fund të dërgimit në prokurori të këtyre lëndëve që me to të merret drejtësia.