Grupi Fortuna është një grup muzikor jo shumë i njohur. Në Kaçanik ndër grupet e para ishin “Fontana”, mandej edhe “Fortuna”, të cilët veprimtarinë e tyre muzikore e filluan në vitin 1975. Zhanri i grupit Fontana ishte pop rock kurse grupi Fortuna ishte rock grup. Edhe më herët kishte interesim për rock, por mungesa e instrumentistëve për të bërë muzikë rock, ka bërë që tek në vitin 1975 të formohen dy grupet e para në qytetin e Kaçanikut.
Grupin Fortuna e formojnë Haziz Shehu dhe Naser Burrniku. Më pas dy rokerëve kaçanikas u bashkohen edhe Sylejman dhe Kemal Shehu si dhe Afrim Shehu. Pak më vonë grupi merr edhe një tjetër anëtar, Skender Axhamin dhe kështu Fortuna bëhet një grup i kompletuar roku.
AVI Fortuna paraqitjen e parë skenike e bënë në vitin 1977 në një rock koncert në Kaçanik. Në këtë koncert grupi “Fortuna” paraqitet me këngën e grupit MAK “Moj e mira te pojata”, si dhe këngë nga grupet “Deep Purple”, “Led Zeppelin”, “AC/DC” etj. Pjesëmarrja e rinisë ishte aq masive saqë policia pati ndërhyrë për të ndërprerë koncertin. Si të gjitha grupet tjera edhe këto dy grupe kaçanikase kishin problemin e mungesës së lokalit, ku për shkak të ushtrimeve jo të rregullta nuk patën rastin që të dalin jashtë Kaçanikut.
Më vonë grupi “Fontana” pati fatin që të bëjë incizime në RTP dhe të njihet më shumë nga publiku kosovar. Ndërsa, grupit “Fortuna” tek në vitin 1981 i ipet lokali për ushtrime, por situata e atëherëshme bëri që grupi t’i ndërprejë ushtrimet për pak kohë.
Në vitin 1982 grupi i njohur “Telex” nga Shkupi mbanë një koncert në Kaçanik, ku merrte pjesë edhe “Fortuna” si grup lokal.
Më 1986 “Fortuna” për herë të parë mori pjesë në një koncert që mbahej jashtë Kaçanikut. Është fjala për gitariadën që u mbajt në Ferizaj. Pas dy vitesh edhe në Kaçanik mbahet një gitariadë ku morën pjesë vetëm grupe lokale. Çmimin për zërin më të mirë e merr Haziz Shehu këngëtari i “Fortunës”.
Grupi “Fortuna” merr pjesë edhe në gitariadën e Prishtinës të vitit 1989 si konkurrent, ku u mirëprit nga publiku madje më vonë kishte oferta për të mbajtur një koncert në Prishtinë.
Në vitin 1993 grupi “Fortuna” mbanë një rock koncert, i cili zgjatë dy orë e gjysmë për arsye se publiku dëshironte që t’i dëgjonin sa më shumë dhe t’i kishin në skenë sa më gjatë. Pas këtij koncerti, antarët e grupit largohen nga Kosova për arsye të ndryshme subjektive, dhe në Kaçanik mbeten vetëm Haziz Shehu dhe Skender Axhami. Edhe për shkak të situatës në Kosovë, grupi ndërpret aktivitetin muzikor.
Pas luftës Kaçanikut i kthehen koncertet dhe mbrëmjet me muzikë rock. Edhe grupi Fortuna fillon aktivitetin muzikor dhe incizon këngën “Të kërkoj besë”, një rock baladë e cila e popullarizon më shumë grupin dhe dëgjohet shumë nga publiku art dashës. Kësaj radhe grupi Fortuna bëhet me tre anëtarë sepse pjesa tjetër e grupit ishin në shtetet e jashtme, pra në mërgim. Tashmë antarët e grupit ishin Haziz Shehu vokal, gitaristët Skender Axhami dhe Kemal Shehu, i cili ishte kthyer nga gurbeti. Fati jo i mirë vendos që edhe Kemali prap të largohet nga Kosova për të jetuar në Zvicërr dhe grupi Fortuna e ndërpret për një kohë angazhimin e vet muzikor. Mirëpo pas një kohe në vitin 2010 grupit i bashkohen edhe dy muzicientë më të rinjë në moshë për dallim prej antarëve themelues, Zijadin Raka bateri dhe Arlind Hysa gitarë. Prap fillojnë ushtrimet dhe përgatitjet për aktivitetet e tjera muzikore.
Më pas ky grup kohë pas kohe incizon këngë tjera dhe merr pjesë në disa koncerte dhe mbrëmje muzikore të organizuar në Kaçanik.
Grupi është duke punuar që të incizohen edhe këngët tjera dhe të realizohet një album me këngë rock, album ky që do ta plotësojë edhe më tepër mozaikun e mrekullueshëm të rockut kosovar, na tregon anëtari i këtij grupi Arlind Hysa.
“Më 2016 synohet lansimi i këngës së re dhe përmbledhja e këngëve të vjetra në një album” tha Hysa për Infosot.
Shkëlqim Ajdini