Po i bënë përgatitjet e para.
Edhe veshjen e ka adekuate, anipse thotë se është mësuar nga pickimi bletëve.
Tymosja është hapi i parë, e procedurën e tregon vet.
“Kjo është një pajisje që e përdorim kur duam me hap kosheren për qetësimin e bletës për me punu më lehtë me to”, tha Ardita Kastrati, Pronare e “Eko Mjalta”.
Hapja e koshereve me bletë dhe puna me to tashmë është rutinë.
E dashuria për to, bëri që Ardita të rikthej edhe kohën kur kosheret e bletëve ishin në këtë formë.
“Këto janë dy koshere, i kemi lënë me punu bletët vet siç kanë punuar në kohët më përpara. Është vit i parë që i kemi vendosur në tokë, kanë punuar shumë mirë. I formojnë vet ramat, interesant i bëjnë”.
Pavarësisht sfidave, ajo nuk u ndal.
Biznesin e nisi me katër bletë, e sot Ardita nga Dobërdoli i Pejës, ka në pronësi rreth 100 koshere me bletë.
“Biznesin e kam filluar me katër bletë (koshere), kemi filluar vetëm sa për të pasur mjaltë sa për familje, mandej kemi shkuar edhe për familjar më të gjerë dhe më hyri ne qejf kjo punë dhe kam menduar me zgjeru biznesin. Tani kemi arritur diku përafërsisht 100 koshere me bletë, ku mendoj ende me rritë numrin sepse është profitabile dhe një punë të cilën munden me bë të gjitha femrat, por duhet me pas edhe përkrahjen e familjes sepse është biznes familjar që munden me punu e gjithë familja”, tha ajo.
Nga bletët dhe dylli ajo tani po prodhon edhe produkte të tjera.
Për këtë e ka në plan të hap edhe një dyqan.
“I kemi katër lloje të mjaltit, gështenjës, bagremit, livadhit dhe bjeshkës, nëse na jep tani natyra në bjeshkë. I kemi pikat propolis, krema me propolis për fytyrë, i kemi tri lloje të kremave. Nga dylli i kam disa produkte, qirinj organik. Ka shumë sende që mundesh me i nxjerr prej bletëve”.
Mbështetjen më të madhe thotë se e mori nga organizata “Syri i Vizionit”.
“Jo, përveç subvencioneve nuk kemi pasur përkrahje prej Komunës, kam bë kërkesa. Shpresat i kemi që kanë me na ndihmu, nuk është vonë kurrë, përjashtim organizata ‘Syri Vizionit’ që na ka ndihmuar shumë me paisje me trajnime të ndryshme”.
Në komunën e Pejës janë afër 2,000 biznese të regjistruara nga pronare femra.
Ku numër për periudhën e parë të këtij viti krahasuar me atë të vitit të kaluar ka shënuar rritje.
“Në vitin e kaluar deri më 1 korrik kanë qenë 220 biznese të regjistruara ndërsa sipas statistikave në vitin 2022 është 240 numri i bizneseve të regjistruara për këtë vit, duke e marrë parasysh se diku rreth 8 mijë biznese janë në komunën e Pejës të regjistruara, prej tyre rreth 2 mijë janë të regjistruara nga pronare femra duke e marrë parasysh se diku 25% është regjistrimi i bizneseve të udhëhequra nga gratë”, tha Sami Gashi, Udhëheqës i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik.
Ai tregon edhe për ndihmën që ata u japin grave në procedurat për hapje të bizneseve, derisa tregon se subvencionimi bëhet direkt nga Komuna dhe Kryetari.
“Sa i përket kësaj na iu kemi dalë në ndihmë rreth informatvae se çfarë duhet të bëhen. Sa i përket subvencionimeve për ndihmë të bizneseve femra apo coftë të ndonjë biznesi tjetër janë nga kryetari që e ka atë të drejtë që t’i subvenciojnë”, pohoi Gashi.
Për gjitha gratë që duan të hapin një biznes apo të aftësohen për një punë, ekziston edhe Qendra për Aftësim Profesional në Pejë.
E interesimi nuk mungon.
“Janë disa profesione që u përshtaten grave në përgjithësi, si administrim biznesit, kompjuter, kontabilitet, vetëpunësim, ku shprehet interesim të madh. Vetëm prej 51 personave që i kemi në trajnim 38 janë femra që i kemi me ‘Syrin e Vizionit’ ku shumica prej tyre kanë qenë përfitues të granteve përmes projekteve dhe kanë dashur të kryejnë profesionin për aftësim biznesi dhe vetëpunësim në mënyrë që biznesi i tyre të zhvillohet sa më mirë”, tha Edison Bërdyna, Udhëheqës i Qendrës për Aftësim Profesional.
Certifikata pas trajnimit njihet edhe jashtë vendit.
Për punë këtë vit u aftësuan rreth 350 persona, e vijueshmërinë po e ndjekin 96 persona.(grafikë)
“Gjatë këtij viti kemi aftësuar diku rreth 350 persona dhe janë në vijueshmëri afër 96 persona në profesione të ndryshme”, tha Bërdyna.
Por, pavarësisht mbështetjes, ende ekziston një dallim i madh në mes numrit të bizneseve që drejtohen nga burrat dhe atyre që drejtohen nga gratë në Kosovë.
Këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare. Sipas platformës elektronike “Bizneset e Hapura”, vetëm 11,57 për qind e bizneseve aktive në Kosovë, ose 20,406 biznese udhëhiqen nga gratë.
Sipas kësaj platforme, në Komunën e Pejës janë 1,217 biznese ose 12,53 % e bizneseve aktive të regjistruara nga gratë.
Kjo video na tregon se mundësitë për sukses ekzistojnë. Institucionet, organizatat joqeveritare, donatorët, Qendrat e Aftësimit Profesional të gjitha bashkë duhet të shihen si mundësi te shumta për zhvillim personal që edhe mund të shpejtojnë punësimin e tyre në të ardhmen. Ardita filloi me pak dhe ia doli, shpresojmë që edhe gratë tjera të motivohen nga suksesi i Arditës dhe te ndjekin ëndrrën e tyre.