Autoritetet greke të mbrojtjes civile kanë vendosur mbyllje të plotë shtatë ditore ndaj një komuniteti në Greqinë verilindore, pas shpërthimit të rasteve me Covid-19 gjatë javës së kaluar, transmeton AA.
Banorët e komunitetit Echinos në provincën Xanthi janë të ndaluar të largohen nga zona, dhe janë në orë policore 24 orëshe. Ata mund të lënë shtëpitë e tyre vetëm për të blerë ushqim ose ilaçe, dhe duhet të mbajnë maskë.
Vetëm automjetet që furnizojnë dyqanet ushqimore dhe farmacitë lejohen në Echinos, ndërsa të gjitha bizneset e tjera të shitjes me pakicë janë mbyllur.
Komuniteti ka qenë edhe burimi i një shpërthimi të lokalizuar edhe më parë. Autoritetet theksuan se zona regjistroi 73 raste të reja të koronavirusit dhe katër vdekje gjatë javës së kaluar. Zyrtarët e shëndetësisë janë duke intensifikuar testimet në zonë.
Greqia vendosi izolim të hershëm dhe arriti të mbajë në nivele të ulëta vdekjet dhe sëmundjen serioze nga koronavirusi. Të mërkurën, vendi njoftoi 55 raste të reja, numri më i lartë ditor me javë të tëra. Pjesa më e madhe ishin në Xanthi.
Përndryshe, Greqia ka gjithsej 187 vdekje dhe mbi 3.200 raste të konfirmuara në vendin me afër 11 milionë banorë.

















