Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë, Jack Smith, intervenoi në momentin kur Kosova dhe Serbia ishin në prag të arritjes së marrëveshjes finale.
Grenell ka thënë se aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara u parapri nga negociatat për arritjen e “marrëveshjes finale që përfshinte edhe zhbërjen e Gjykatës Speciale”.
“Një grup prokurorësh nuk mundën të gjenin prova kundër Thaçit dhe ish-prokurori tha se nuk kishte asgjë në të e mbylli dosjen dhe iku. Haga vazhdoi të shpenzonte dollarët amerikanë dhe Jack Smith shpenzoi vite duke hetuar krime lufte”, ka thënë Grenell për Smithin në një intervistë me Donald Trump Jr.
Ai ka theksuar se aktakuza kundër Thaçit erdhi në qershor 2020, vetëm pas njoftimit se Thaçi e presidenti serb po shkonin në Shtëpinë e Bardhë.
“Duhej ta negocionim dhe ta arrinim një marrëveshje historike mes të dyja palëve. I thash Departamentit të Drejtësisë se ata kishin rënë dakord ta zhbënin tribunalin në Hagë me marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë. I thash se ata u pajtuan ta mbyllnin gjykatën në Hagë që drejtohej nga Jack Smithi”, ka përsëritur Grenell.
Më pas Grenelli ka treguar se nga Departamenti i ishte thënë se këtë duhet ta dinte edhe vetë prokurori special Smith.
“Dy ditë më vonë dëgjova se Smith kishte thënë, ‘Nuk mund ta bëni’. Tri a katër javë më vonë, Jack Smith njoftoi për aktakuzën ndaj Thaçit. Para se të vinte në Shtëpinë e Bardhë, Thaçi u dërgua në Hagë dhe ende është në burg”, ka thënë Grenell.
Jack Smith tani është rikthyer në SHBA për ta hetuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump.