Grenell pët kritikat e Konjufcës për Biden e Obama: I lavdëruat, iu shkuat në Konventa, pse kurrë s’u ankuat për 4 vjet

E publikuar: 22/01/2025 18:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari presidencial për Misione Speciale, Richard Grenell, ka reaguar ndaj deklarimeve të numrit dy të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se administrata e Obamës dhe e Biden e ka vendosur Kosovën në pozitë të disfavorshme karshi Serbisë.

Grenell ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje përgjatë katër viteve në pushtet e kanë lavdëruar presidentin Biden, kanë marrë pjesë në Konventat e tij dhe takimet, dhe ka pyetur se pse asnjëherë më parë s’janë ankuar.

“Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Biden dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”, ka shkruar Grenell.

Glauk Konjufca në një intervistë për RTK para pak ditësh ka deklaruar se Kosova si pasojë e administratave Obama e Biden është gjendur në pozita të disfavorshme ndaj Serbisë.

Kryeminsitri Albin Kurti në vitin 2020 kishte dalë hapur në përkrahje të Joe Biden para zgjedhjeve në SHBA dhe në zgjedhjet e fundit kishte marrë pjesë edhe në Konventën e Demokratëve, pak para se Biden të tërhiqej nga gara për president e t’ia lëshonte vendin e tij Kamala Harris.