Emisari special i SHBA-së, Richard Grenell ka reaguar ndaj deklarimeve të kreut të Lëvizjes Vetëvendose se nuk do ta respektojë marrëveshjen e Uashingtonit, pas ardhjes së partisë së tij në qeveri.
Albin Kurti është shprehur i prerë sa i përket zbatimin të marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-së, më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
Por, shumë shpejt ka ardhur reagimi i njeriut që ishte pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes në Zyrën Ovale të presidentit Donald Trump.
“Një gjë është e sigurt, ju gjithmonë mund të llogarisni në Kurtin që të jetë kundër SHBA-ve. Ai ishte kundër ideve të Obamas, ishte kundër ideve të Bushit. Simbolika nuk paguan qiratë, atë e bëjnë vendet e punës”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Ndryshe, Kurti kishte thënë se marrëveshja është nënshkruar nga një kryeministër jo legjitim duke iu referuar Avdullah Hotit si nënshkrues i palës kosovare.
“Ne nuk kemi detyrime për zotimet e kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe jo transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë”, ka thënë ai.