Kryetarja e Aleancës së Gruas së AAK-së, Magbule Shkodra, dhe Kryetarja e Aleancës së të Rinjve, Diellza Hoti, të martën kanë zhvilluar një takim me presidenten Atifete Jahjaga.
Dy zonjat e AAK-së i kanë shprehur të pares së vendit shqetësimin me fjalorin gjithnjë e më banal të përfaqësuesve institucionalë të Kosovës.
“Rasti më i fundit shqetësues, i kanë thënë ato presidentes Jahjaga, ka qenë fjalori ofendues i Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ndaj deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu”, thuhet në njoftimin për media të AAK-së.
Shkodra dhe Hoti, në takim kanë shprehur mospajtimin e tyre edhe me mosreagimin e Presidentes ndaj kësaj deklarate.
“Presidentja, nga ana e saj është shprehur se ajo është shprehur në vijimësi kundër gjuhës banale, por ka thënë se e ka të pamundur që të reagojë në raste individuale”, theksohet më tej në reagim.
Ndryshe, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në mbledhjen e së premtes së shkuar, e kishte ofenduar rëndë deputeten Haxhiu, gjë që shkaktoi reagimin e opinionit publik, në veçanti të disa shoqatave të grave.
















