
Anipse dikur e përkrahte Albin Kurtin thuajse në gjithçka, analisti politik Bleron Baraliu së fundi komentoi rënien e kryeministrit të Kosovës në grackën e thurur nga dy komedianët rus.
Baraliu e vlerësoi si shqetësuese bisedën që shefi i qeverisë e pati me komedianët, duke thënë se Kurti është një politikan thellësisht naiv dhe i pa mençur.
“Tani më nuk kemi të bëjmë me një çështje politike apo digresion këndvështrimesh kundërthënëse; tani secili joanalfabet duhet t’a kuptojë se Albini Kurti duhet të pensionohet urgjentisht, sepse në rrethanate tanishme ai peshon rëndë në supet e Kosovës kundrejt marrëdhënieve ndërkombëtare dhe synimeve progressive”,tha ai.
Reagimi i plotë:
Imperator nullas vestes habet!
Ironia më e thellë e tragjikomedisë politike kosovare në njëzet vjetët e fundit është se — siç kam thënë sa e sa herë publikisht në debate televizive, madje edhe gjatë kohës që e kam mbështetur bindshëm ardhjen e VVsë në pushtet — Albin Kurti është një politikan thellësisht naiv dhe i pamençur.
Pas rënies në grackën e dy komedianëve hileqarë, përveç shqiptarëve, serbëve dhe rusëve, tashmë e di edhe e tërë bota se KM Kurti është një amater i jashtëzakonshëm, një politikan me cinizëm të rrallë, dhe një sharllatan i klasit më eklatant në rrafsh diplomatik! Për shembull të thjeshtë, si ka mund të hyjë në bisedë me (gjoja se) kryetarin e Letonisë, flet për ‘homoseksualë’ në një dimension pezhorativ / ad-hominem pa e ditur se po fliste me një homoseksual të deklaruar hapur, dhe, pas njoftimit nga ky kryetar se ‘edhe unë jam gej’, KM Kurti të deklaroj hapur se nuk e dinte këtë!!! (Kjo edhe dëshmon se kabineti i tij është një grup amaterësh.)
Kurti, është i pamençur; përveç që është paranojak (diçka e njohur për të gjithë), kam bindjen se ai, përveç se qartë lëngon në anglisht, nuk di as matematikë, filozofi, apo diçka tjetër me peshë në shkencë apo politikë për rolin e një kryeministri. Këtë nuk e them me hamendje apo pa kujdes — Kurti është shembull i mprehtë i konstruktit figurativ ‘një milje gjerë por një milimetër thellë!’
Kjo nuk nënkupton që Kurti nuk ka lexuar vëllime të tëra e shpenzuar dekada ‘përvojash’ më shumë se gati të gjithë ne, por që në thelb ai në këtë proces e ka humbur toruan brenda konfuzitetit e ndërlidhjeve të tepërta kontradiktore të cilave iu është ekspozuar vullnetarisht karshi brishtësisë së integritetit të tij intelektual (ata që e njohin Albinin e dijnë sa lehtë mund të kompleksosh atë me një ‘lajm’ a ‘informatë’ të llojit ‘e pashë këtë duke llafosur me atë).
Tani më nuk kemi të bëjmë me një çështje politike apo digresion këndvështrimesh kundërthënëse; tani secili joanalfabet duhet t’a kuptojë se Albini Kurti duhet të pensionohet urgjentisht, sepse në rrethanate tanishme ai peshon rëndë në supet e Kosovës kundrejt marrëdhënieve ndërkombëtare dhe synimeve progresive.
Të gjithë me sy hapur tani duhet t’a pranojnë pa mashtruar veten më tutje se mbreti sot është krejtësisht lakuriq!.