Shefi i zyrës për Kosovën në kuadër të qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, u ka thënë sot përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës se Serbia nuk do të pranojë që “liderët politikë të shqiptarëve të jenë ata që do të vendosin për përfaqësimin e serbëve“.
“Kuotat politike nuk kanë kurrfarë kuptimi nëse nuk punohet përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara kushteuese në Kosovë“, ka thënë Gjuriq.
Ai po qëndron sot në Graçanicë të Kosovës, për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit e dhjetë komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Në takim po marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ministrat dhe deputetët e përkatësise etnike serbe në nstitucionet e Kosovës, kryetarët e komunave dhe përfaqësues të orrganizatave joqeveritare serbe në Kosovë.
Takimi po mbahet në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë dhe vetë pjesa e parë ka qenë e hapur për mediat. Konkluzionet pritet të bëhen publike gjatë ditës.
Gjuriq me këtë rast ka bërë thirrje për bashkëveprim të komunitetit serb në Kosovë, duke shtuar se takimi i sotëm për synim ka “krijimin e parakushteve politike për formimin e ascociacionit të komunave serbe“.
“Kam ardhur t’ju them se është e nevojshme të bashkoheni, është e nevojshme si kurrë më parë të punoni dhe veproni bashkërisht në rrafshin politik, se është e nevojshme që sot në këtë takim, që ka potencial të mbahet në mend si takimi i patë në vazhdën e takimeve të rëndësishme, të definoni prioritetet kyçe të betejës sonë për mbijetesë“, ka thënë Gjuriq.
Asociacioni i komunave serbe parashihet me marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 19 prill të vitit 2013.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka thënë se bashkësia serbe në Kosovë po përballet me „probleme të ngjashme me ato të 17 marsit të vitit 2004“, duke iu referuar trazirave ndër-etnike që lanë të vdekur 19 persona, 11 shqiptarë dhe 8 serbë.
Lubomir Mariq, ministër për administrimin e pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, ka thënë se dita e sotme shënon një fillim të ri për komunitetin serb në Kosovë.
Aleksandar Jabllanoviq, ministri i shkarkuar nga qeveria e Kosovës, për shkak të të cilit Lista Serbe ka pezulluar angazhimin në institucionet e Kosovës, ka thënë se „uniteti i komunitetit serb në Kosovë pas ditës së sotme nuk do të vihet në pikëpuyetje dhe se prapa kësaj qëndron aleati më i madh dhe më i fuqishëm – qeveria e Serbisë“.
Largimi i Jabllanoviqit nga qeveria ka pasuar protestat dhe trysninë e fuqishme të opozitës në Kosovë për shkak të një deklarate që Jabllanoviq kishte bërë më 6 janar.
Ai i kishte cilësuar si “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, raporton.
Përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, vijnë nga radhët e Listës Serbe, e cila ka marrë pjesë në zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme në Kosovë, me bekimin e Beogradit zyrtar.