Prokuroria konfirmon se të enjten, në rrugën e Rinasit, u grabitën 3.2 milionë dollarë nga të paktën 6 grabitës që morën pjesë në rrëmbimin e valutës që po transportohej drejt Austrisë.
Policia, gjatë kontrolleve dhe përpjekjeve për ta zbardhur ngjarjen, ka shoqëruar gjatë fundjavës 30 persona, të cilët po merren në pyetje.
Babai i Klejdi Gjyliut, i shoqëruar, thotë : «E morën te lokali. Nuk na japin asnjë përgjigje se përsa e kanë ndaluar djalin ».
Ndërsa babai i Eris Ndreckës deklaron : «Djali ka 2-3 muaj në shtëpi. Të më fusin brenda me gjithë djalin. Nëse djali im ka lidhje me bankën, le ta kalbin brenda ».
Nën akuzën e shpërdorimit të detyrës gjykata dha arrest me burg për 6 punonjësit e sigurimit fizik, të cilët, sipas prokurorisë, me mosveprimet e tyre nuk kanë përmbushur detyrën.
Avokati Detar Hysi tha : «Ishte vendim i padrejtë dhe ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore. Gjykata, në kundërshtim me ligjin, legalizoi tejkalimin e kompetencave të organit të akuzës dhe ky vendim është vazhdimësi e pseudoreformës në drejtësi ».
Ndërsa avokati Zihni Qinami u shpreh : «Nuk është bërë hetimi i duhur dhe i gjithanshëm i kësaj çështjeje penale. Po të hetohet me saktësi, të pandehurit do të dalin të pafajshëm. Sipas asaj që më ka thënë mua klienti im, nuk kanë bërë instruktazh ».
«Nuk ka ditur si ndizen kamerat, nuk ka ditur asgjë… » tregon Arjon Daci, vëllai i të arrestuarit Endri Daci.
Prokuroria thotë se në grabitje janë angazhuar 3 automjete. Sipas grupit të hetimit, përpara se të ndodhte goditja nga grabitësit, mes dy mjeteve të blinduara të bankës, fillimisht ka hyrë një mjet fuoristradë, që duke i bllokuar, ka ndikuar në uljen e shpejtësisë.
Menjëherë më pas, nga rruga dytësore një fuoristradë tjetër ka ndërprerë aksin kryesor, duke goditur mjetin e blinduar . I pyetur për këtë çast, njëri nga të dyshuarit ka thënë se autorët që zbritën të armatosur ishin të maskuar, me rroba me nënshkrimin policia, ndërkohë që të tjerët pohojnë se grabitësit ishin të veshur me rroba të errëta, si ato të forcave speciale. Pasi kanë neutralizuar shoqëruesit e vlerave monetare, grabitësit nuk gjetën çelësin dhe thyen kasafortën me një gur freksibël, duke marrë prej andej 8 thasë.
Prokuroria thotë se kamerat e sigurisë së mjeteve të transportit ishin fikur, radio e ndërlidhjes nuk është përdorur dhe pajisja gjurmuese GPS nuk ishte vendosur në thasët me para’.
Të gjitha këto koincidenca janë vlerësuar si shpërdorim detyre, por që i kanë dhënë përparësi të madhe 6 grabitësve.