Grabitën e plagosën në vilën e biznesmenit, kapen “skifterët” në Spanjë, shumica shqiptarë

E publikuar: 13/12/2023 23:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Garda Civile e Valencias, në kuadër të operacionit “Neckars”, ka arrestuar 16 anëtarë të një organizate kriminale, e dyshuar si përgjegjëse për një grabitje me dhunë brenda një vile në qytezën e Bétera, ku plagosën të zotët e shtëpisë duke mos kursyer as dy fëmijët e tyre të mitur.

Mësohet se djalit të madh të çiftit, 13-vjeç, i është vendosur një thikë në fyt dhe e kanë bërë dëshmitar të rrahjes së babait të tij, kështu që biznesmeni ka pranuar t’u tregojë vendndodhjen dhe kombinimin e kasafortës.

Grupi i “skifterëve” ka zbërthyer kasafortën duke u larguar nga vendngjarja me bizhuteri, ora dhe sende të tjera me vlerë rreth 175,000 euro.

Më pas erdhi denoncimi, me viktimat që i dhanë agjentëve informacione të vlefshme për grabitësit, duke zbuluar se ishin persona nga Evropa Lindore, të veshur me veshje teknike të errëta, me kamera dhe mjete të ndryshme, të ngjashme me ato të grupeve paramilitare.

Pasi mësynë në këtë banesë, agjentët arritën të gjejnë një gjurmë gishti të pjesshme që korrespondonte me ato të një shtetasi shqiptar, për të cilin ka denoncime të shumta për grabitje me dhunë në Spanjë dhe Shqipëri. Përmes Interpolit më pas u mësua se mbi shqiptarin është lëshuar edhe një urdhër gjyqësor, për gjithsej 12 grabitje me armë zjarri.

Pas hetimeve të shumta, Garda Civile arriti të identifikojë pjesën tjetër të anëtarëve të organizatës kriminale, të cilët ishin fshehur në një shtëpi me qira, ku pronarit i ishin paraqitur si futbollistë.

Për më tepër, adresat e të gjithë anëtarëve ishin të vendosura në qytetet Ibiza, Arganda del Rey (Madrid), Burriana (Castellón) dhe Mislata (Valencia). Në këtë mënyrë janë arrestuar dhe dërguar në burg edhe tre prej anëtarëve të tjerë të bandës.