Gra dhe minorenë në mesin e 15 të arrestuarve në magazinën e kanabisit në Rrëshen

E publikuar: 02/11/2016 18:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mesin e 15 të arrestuarve në magazinën e tharjes së kanabisit që u zbulua këtë të mërkurë në Rreshen nga policia, ka edhe gra dhe minorenë.

Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muça në një prononcim për Express thotë se personat e vënë në pranga u gjetën nga policia në ambientet e magazinës. Ata do të merren në pyetje dhe pritet që më tej të zbulohet edhe roli që ata kanë në këtë veprimtari të paligjshme. Paraprakisht dyshohet që personat e arrestuar të jenë punëtorë.

Aksioni u ndërmor prej mëngjesit të sotëm, kur policia mori informacione në rrugë operative për magazinën e kanabisit, ndërsa me ndërhyrjen e policisë së Lezhës dhe efektivëve të komisariatit të Rrëshenit, u konstatua magazina dhe një sasi e konsiderueshme lënde narkotike në proces tharje. Droga ende nuk është peshuar por paraprakisht dyshohet të kalojë peshën 1 ton.
Rasti u denoncua edhe nga Partia Demokratike si një ngjarje që po mbahej e fshehtë nga policia, por aksioni ka përfunduar në orën 15:00, pra më herët sesa PD-ja të dilte me deklaratë përmes ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka. Rasti i është referuar prokurorëve për hetime të mëtejshme.

Në aksion u përfshinë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të bërë shoqërimin e 15 personave të arrestuar.