Google përjashtoi nga dyqani i aplikacioneve një zhvillues Kinez duke hequr dhjetëra aplikacione pasi hulumtuesit zbuluan se kishte bërë mashtrime dhe abuzuar me lejet e përdoruesit.
Zhvilluesi Kinez DO global i cili pjesërisht zotërohet nga Baidu, u zbulua se prodhonte klikime të rreme për të gjeneruar të ardhura krahas praktikave të tjera mashtruese.
“Kemi përgjegjësinë për të mbrojtur përdoruesit dhe reklamuesit dhe investuar në burime dhe mjete për të luftuar mashtrimin dhe abuzimin globalisht. Ne hetojmë në mënyrë aktive sjellje të dëmshme dhe kur gjejmë shkelje veprojmë menjëherë duke i hequr zhvilluesit mundësinë për të monetizuar aplikacionet me AdMob apo të publikojë fare në Google Play,” mësohet të ketë thënë Google për The Verge.
Google nuk konfirmoi zyrtarisht dëbimin e DO Global por është konfirmuar nga raportet se bëhet fjalë për këtë kompani.
Të paktën gjashtë aplikacione u zbuluan nga hulumtuesit që përmbanin kode të dëmshme dhe që përdoreshin për të klikuar automatikisht reklamat pa dijeninë e përdoruesit. DO Global ka pasur afro 100 aplikacione në Play Store ndërsa 46 prej tyre janë fshirë sipas Buzz Feed.
Në një botë kur të ardhurat nga reklamat mund të prodhojnë fitime të mëdha, nuk është çudi që dita ditës së shohim më shumë aktorë të tjerë që angazhohen në aktivitete të tilla të dëmshme. Në Janar Google fshiu 60 lojëra nga Play Store. /PCWorld Albanian