BERLIN, GERMANY – JUNE 02: A silhouette of a man and a magnifying glass is seen in front of a screen on which the Google search engine is displayed on June 02, 2014 in Berlin, Germany. (Photo by Michael Gottschalk/Photothek via Getty Images)
Një gjykatës amerikan vendosi se kompania Google ka shkelur ligjin, pasi ka shpenzuar miliarda dollarë për të krijuar një monopol të paligjshëm dhe është bërë motori kryesor i kërkimeve në botë.
Kjo është fitorja e parë e madhe e autoriteteve federale kundër dominimit të tregut nga kompanitë e mëdha të teknologjisë.
Vendimi i hap rrugën një gjykimi të dytë për të përcaktuar mënyrat se si mund të përmirësohet kjo çështje, përfshirë edhe ndarjen e Alphabet nga Google, që do të ndryshonte peizazhin në botën e reklamimit online, që Google e ka dominuar për vite të tëra.
Vendimi i gjykatësit Amit Mehta, po ashtu i jep dritën e gjelbër zbatimit më të fuqishëm të ligjit nga SHBA-ja kundër kompanive të mëdha të teknologjisë.
“Gjykata ka mbërritur në këtë përfundim: Google është monopolist, ka vepruar me të gjitha mënyrat për të mbajtur monopolin”, tha Mehta në vendim.
Në vendimin e gjykatësit të qarkut në Uashington u tha se Google kontrollon rreth 90 për qind të tregut të kërkimeve online dhe 95 për qind të kërkimeve që bëhen përmes telefonave smart.
Përfundimi i këtij procesi mund të jetë i gjatë, pasi ka mundësi që palët të ankohen në Gjykatën e Apelit, por edhe në Gjykatën Supreme. Ky proces ligjor mund të zgjasë gjithë vitin e ardhshëm, e madje edhe në vitin 2026./tch