Kampionët e NBA, Golden State Warriors mbeten pa trajner. Ishte vetë skuadra kaliforniane që nëpërmjet një komunikate në faqen e saj zyrtare, bëri të ditur se trajneri Steve Kerr do të largohet përkohësisht nga drejtimi i ekipit për motive që kanë të bëjnë me shëndetin e tij. Kerr, aktualisht 50-vjecar në Korrik iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për t’u kuruar nga hernia diskale, ndërsa në fillim të Shtatorit, trajnerit të Golden State iu desh t’i nënshtrohej një tjetër operacioni në shpinë. Për t’u kuruar plotësisht pas dy operacioneve që kreu, Steve Kerr duhet të nisë një kurë rehabilituese që të mos ketë pasoja në të ardhmen.
Në këtë mënyrë 50-vjecari për momentin e ka të pamundur të jetë në krye të skuadrës dhe drejtimi i Golden State do t’i kalojë asistentit të tij të parë Luke Walton. “Ajo që vlen është që Steve Kerr të jetë mirë dhe që faza e rehabilitimit ta kthejë sa më shpejt në kushtet më të mira jo vetëm për të drejtuar skuadrën gjatë këtij sezoni por edhe përsa i përket jetës së tij private“, shkruhet në komunikatën e Golden State Warriors. Te kampionët e NBA shpresojnë që trajneri të jetë gati në 27 Tetor kur do të nisë edhe sezoni i ri NBA, për të udhëhequr skuadrën nga Oakland drejt fitimit të një tjetër titulli.