Kosova, Serbia dhe palët tjera të jashtme duhet të fokusohen në shmangie të rrezikut afatshkurtër të dhunës në veri të Kosovës, dhe më pas të analizojnë mënyra për të garantuar stabilitet afatgjatë.
Kështu është thënë në raportin më të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave – organizatë që harton analiza të pavarura dhe këshilla për parandalim, zgjidhje dhe menaxhim të konflikteve – të publikuar më 2 prill.
Në raportin me titull ‘Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërive të ndara’, dedikuar marrëdhënieve Kosovë – Serbi, me fokus në veriun e Kosovës dhe zhvillimet atje, Kosovës i sugjerohet të bashkëpunojë me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë [KFOR] “për të çmilitarizuar veriun”.
“Kosova duhet t’i tërheqë njësitet speciale të Policisë prej rajoneve me shumicë serbe dhe derisa ta bëjë atë, t’i dislokojë ato me masë dhe vetëm në koordinim me paqeruajtësit e KFOR-it, të cilët banorët e veriut i shohin si më të besueshëm, marrë parasysh përkushtimin e tyre për neutralitet”.
Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar atë që njihet si “Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve” – e njohur si Marrëveshja e Brukselit.
Aty përmendet se do të ketë një komandant rajonal të policisë për katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – i cili duhet të jetë serb, shtetas i Kosovës.
Por, në asnjë nga pikat e kësaj marrëveshjeje nuk përmendet shkuarja apo jo e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri.
Sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, për të rritur ndjesinë e sigurisë së Prishtinës, KFOR-i duhet t’i ndihmojë Kosovës në kontrollimin e kufirit, të parandalojë kontrabandën e armëve të rënda dhe t’i gjejë ato që janë futur më herët.
“E Serbia duhet të ndalojë mbështetjen për aktivitet paramilitar dhe t’i gjykojë ata që janë përfshirë në vrasjen e policit të Kosovës. Në mungesë të një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse, barra do të jetë mbi Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, për të garantuar paqe dhe për të shmangur përshkallëzimin, derisa të arrihen kushtet për një marrëveshje të negociuar”.
Kosova është duke e fituar betejën për kontrollin e veriut
Në raport, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka vlerësuar se Kosova është duke e fituar betejën për kontrollin e veriut, ndonëse shpresat për normalizim marrëdhëniesh mes Prishtinës dhe Beogradit po zbehen.
Dy palët negociojnë në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve – me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – qysh prej vitit 2011.
Palët i kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
Në raport është thënë se “institucionet e mbetura serbe në territorin e Kosovës, të cilat i kanë mbijetuar luftës së vitit 1999 dhe pavarësisë së Kosovës më 2008, po shpërbëhen pas një operacioni paramilitar të mbështetur prej Serbisë në shtator të vitit 2023”.
Në shtator të vitit të kaluar, grupe të armatosura serbe e kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.
(shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë)