Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është pritur në takim nga ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.
Konjufca dhe kongresistja Pelosi shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rëndësinë e avancimit në proceset euroatlantike dhe vazhdimin e mbështetjes së Republikës së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kreu i Kuvendit potencoi se Kosova dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtat vlera dhe parime të lirisë e demokracisë dhe se çdo ditë e më tepër po i zgjerojnë fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë.
“Kosova dhe populli ynë janë të bekuar që kanë miq kaq të mrekullueshëm dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Konjufca gjatë takimit.
Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli.
Vizita e kryetarit të Kuvendit në Uashington do të vazhdojë me takime të tjera në Kongresin Amerikan.