Rrugëtimi i gjatë dhe i mundimshëm i ringritjes ka përfunduar, Glasgow Rangers rikthehet në Premiership plot 4 vjet pas falimentimit. Skuadra e kryeqytetit skocez siguroi ngjitjen në Premiership 4 javë përpara fundit të sezonit pasi kaloi 1-0 Dumbarton dhe krijoi diferencën matematikore me Falkirk për biletën e artë të kategorisë më prestigjoze të futbollit skocez. Skuadra e Mark Warbutton festoi në mënyrën më të mirë një sezon pothuajse perfekt duke i lëshuar dorezën e sfidës rivalëve të Celtic pasi që prej sezonit të ardhshëm në futbollin britanik rikthehet “Old Firm”, siç njohet ndryshe edhe derbi i Glasgow, një nga më të vjetrit dhe më të zjarrtët në planet.
Glasgow me mbështetje në radhët e tifozëve protestantë dhe në krahun tjetër fanatikët katolikë të Celtic e kanë ndarë qytetin në dy pjesë ku kryefjalë është futbolli dhe pas pak muajsh, të gjithë të apasionuarit do të rikthehen të shijojnë emjocionet e kësaj sfide. Ishte një rrugëtim i gjatë ai që riktheu Rangers në majën e futbollit skocez. Në vitin 2012 klubi falimentoi për shkak të borxheve të mëdha duke zbritur në kategorinë e katërt por kjo nuk i pengoi tifozët e Rangers ta nderonin skuadrën e tyre me praninë masive në “Ibrox Park” edhe gjatë kësaj periudhe të errët pasi mesatarisht në cdo ndeshje si pritëse stadiumi priti rreth 50 mijë mbështetës. Në këto 4 vjet, për Rangers kanë luajtur lojtarë nga 15 vende të ndryshme ndërsa kapiteni Lee Wallace nuk e braktisi skuadrën duke regjistruar 170 sfida me këtë fanellë. Tani hapet një kapitull i ri sepse me rikthimin e Rangers në elitë, futbolli skocez përqafon një pjesë të madhe të historisë së futbollit në këtë vend.