Ish-kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla
Ish-kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla, ka thënë se vendimi i sotëm i qeverisë për t’ua ulur pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve është i gabuar.Sipas Sylës, ky vendim është i gabuar për arsyen se ulja e pagave ndaj tyre do të ndikojë negativisht në punën efektive të gjyqësorit dhe prokurorisë.
“Kjo, sigurisht do të ketë edhe pasoja për sistemin e drejtësisë në tërësi. E them kështu për faktin se edhe në këto kushte që deri më tani kanë punuar gjyqtarët dhe prokurorët, ka pasur kritika dhe zëra se gjoja këto paga s’i meritojnë, e që konsideroj se ka qenë një qëndrim i gabuar dhe s’është ashtu për faktin se shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë profesionalë. Nuk them se ndoshta një numër i vogël i tyre s’e meritojnë, por sidomos paga ndikon edhe në efikasitetin dhe punën e tyre”, është shprehur Syla në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial janë të mandatuara që t’i mbrojnë punëtorët dhe sipas Sylës, në rrugë ligjore ata mund të bëjnë shumë.
“Unë konsideroj se ata duhet të drejtohen në Gjykatën Kushtetuese që të anulojnë këtë vendim të qeverisë për faktin se gjyqtarët dhe prokurorët janë një kategori e caktuar kushtetuese dhe ata duhet të vazhdojnë me pagat që i kanë pasur deri më tani”, është shprehur Syla.
Kujtojmë se në mbledhjen e mbajtur më herët, KGJK ka dalë me disa vendime ku ndër të tjera thuhet se puna e gjykatave do të reduktohet dhe do të bëhet veç për shërbime esenciale.
Tutje, në vendim thuhet se Këshilli dhe gjykatat do të pezullojnë çdo bashkëpunim dhe pjesëmarrje të aktiviteteve të organizuara apo ku janë prezent përfaqësuesit e qeverisë.