Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së enjtes, në gjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, mbrojtja e të akuzuarve ka shfaqur disa shqetësime lidhur me zhvillimin e procedurave në seanca të mbyllura.
Këtë shqetësim, e ka paraqitur për palët, mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe.
Ai tha se për shkak të urdhrit të trupit gjykues të seancës së 17 majit për zhvillimin e procedurave për seanca private apo mbyllura, dëshirojnë të paraqesin disa vështirësi, duke thënë se të njëjtit kanë kundërshtuar të gjitha masat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) edhe për masa mbrojtëse.
“Dua të tërheq vëmendjen që jo vetëm e kundërshtojmë, po kemi shqetësime praktike për ndjekjen e praktikës së ZPS-së’’, tha ai.
Sipas tij, ZPS ka mundësinë të dalin dhe të futen në seancë private sa herë që e shohin të nevojshme dhe për ta si mbrojtje paraqet vështirësi që të kalojnë sa në një pyetje në pyetjen tjetër.
Tutje, ai tha se kjo vështirësi do vlerësohet edhe për shkak se edhe dy dëshmitarët e tjerë me radhë kanë masa të mëdha mbrojtëse.
Sipas tij, kjo shkakton vështirësi që publiku të kuptojë se çfarë pyesin pasi që sipas Kehoe, procedura është shumë më e vështirë nga ana e tyre sesa nga ana e Prokurorisë.
Lidhur me këtë, është deklaruar edhe ZPS duke thënë se shqetësimet kryesore nuk vijnë nga ata, por nga frikësimi i dëshmitarëve dhe se kjo nuk është diçka që mund të parandalohet nga ta.
Sipas ZPS-së, Prokuroria ka rast që ka kërkuar që seanca të bëhet publike, por është kundërshtuar nga mbrojtja.
E që, avokati Kehoe reagoi duke thënë se ata nuk pajtohen me këtë qëndrim, pasi që të njëjtit këtë praktikë e kundërshtojnë me vite dhe shtoi se ‘‘ne duam t’i zhvillojmë në seancë të hapur’’.
Por, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se urdhri nuk është bërë për të fajësuar dikë, por që nëse kjo nuk arrihet nga palët, do të bëjnë vetë si trupi gjykues.
Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të pestë (me kodin 3165) në këtë çështje.(Betimi për Drejtësi)