Gjykata vendos kundër ish presidentit Trump, gjobë prej 356 milionë dollarësh

E publikuar: 16/02/2024 23:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Trump

Një gjykatës në Nju Jork vendosi të premten kundër ish presidentit Donald Trump, duke e gjobitur me 364 milionë dollarë për atë që gjykatësi e quajti një skemë shumëvjeçare për të mashtruar bankat dhe të tjerë, nëpërmjet deklaratave financiare që frynë artificialisht vlerën e pasurisë së ish-presidentit.

Gjykatësi Arthur Engoron e dha vendimin pas gjyqit që zgjati dy muaj e gjysëm, gjatë të cilit kandidati kryesor republikan për president dëshmoi se është bërë viktimë e një sistemi të manipuluar ligjor.

Dënimi i ashpër është një fitore për prokuroren e Nju Jorkut, Letitia James, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, e cila ngriti padi ndaj ish presidentit Trump, për atë që e quajti jo thjesht një mburrje e padëmshme, por vite të tëra praktikash mashtruese, ndërsa ai shtonte koleksionin e godinave të larta, fushave të golfit dhe pronave të tjera në shumë vende të botës, të cilat e ndihmuan për të fituar famë dhe në vazhdim Shtëpinë e Bardhë.

Avokatët e zotit Trump patën thënë që përpara dhënies së vendimit se do ta apelonin atë.

Vendimi pritet të luajë rol të rëndësishëm në një javë të ngarkuar dhe të rëndësishme për kalendarin e ardhshëm gjyqësor të ish presidentit.

Prokurorja James pati kërkuar gjoba prej 370 milionë dollarësh dhe ndalimin e zotit Trump dhe personave të tjerë për të bërë biznes në shtetin e Nju Jorkut.

Gjatë gjyqit u pyetën rreth 40 dëshmitarë, ndër ta edhe vetë zoti Trump. Argumentat përmbyllëse ishin bërë në datën 11 janar. Procesi u drejtua nga një gjykatës i vetëm, pasi juritë gjyqësore nuk lejohen në këtë shtet për padi të tilla dhe as zyra e prokurores dhe as avokatët mbrojtës nuk kërkuan juri./VOA