Lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, e cila përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë tashmë mban edhe vulën e gjykatës.
Tashmë ka nisur edhe sekuestrimi i përkohshëm i 75 pronave teksa këtë e ka konfirmuar, Shaqë Curri, gjykatës i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Pejë.
“Kam urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm”, ka thënë Curri për Betimi Për Drejtësi.
Sipas shkresave të lëndës së gjykatës, këto villa të sekuestruara rezulton se janë ndërtuar në Zonën e II-të në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, në të cilën ndalohet ndërtimi me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.
Po ashtu sipas shkresave të lëndës, thuhet se sipas këtij ligji, Zona e II-të e këtij Parku karakterizohet me ekosisteme, vlera peisazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut, kurse është e ndaluar ndërtimi i çfarëdo objekti për banim.