Ndërkombëtarët po kërkojnë themelimin e Gjykatës Speciale para pushimeve verore të Kuvendit. Deputetët do të obligohen të votojnë këtë gjykatë ose t’i hapin përfundimisht rrugë themelimit të këtij institucioni nga Këshilli i Sigurimit të OKB’së.
Hashim Thaçi e Isa Mustafa i kanë siguruar ndërkombëtarët se për herën e dytë do t’i kalojnë amendamentet Kushtetuese në Kuvend për t’i hapur pastaj rrugë themelimit te Gjykatës. Kuvendi i Kosovës do të votojë në paketë gjithë Ligjin për themelimin e Gjykatës, ku do te përfshiheshin edhe amendamentet kushtetuese..
Koalicioni qeveritar ka para vetës më pak se tre jave kohë për t’i hedhur në votim ndryshimet kushtetuese pasi deputetët pastaj shkojnë në pushime.
Burime ndërkombëtarë i kanë thënë Gazetës Express, se Isa Mustafa e posaçërisht Thaçi i kane siguruar partnerët amerikanë se vota është e mbledhur dhe se po shihen vetëm modalitetet e votimit të paketës.
Nga 13 deputetet e PDK ‘së që nuk votuan Gjykatën, duket se kundër do të vazhdojnë të jenë ende vetëm katër. Dhe kjo e bën të mjaftueshme votën PËR, dhe nxjerrjen e Kosovës nga një izolim i plotë ndërkombëtar që mund të pasojë në rast të dështimit të dytë.
Themelimi i Gjykatës Speciale, ndërkaq, është çështje e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Tashmë ekziston një vendim i Kuvendit të Kosovës i vitit 2013 për të themeluar Gjykatën Speciale, si pjese e një ligji të miratuar me dy të tretat e votës së deputetëve të përbërjes së kaluar.
Pavarësisht votës së Kuvendit të kaluar, Kosova ka obligime ndërkombëtare sepse traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare kanë fuqi mbi ligjet vendore të cilitdo shtet, që obligohet t’i respektojë.
Mos votimi ne Kuvend i amandamenteve kushtetuese, ndërkaq, përmendet të ketë qenë pjesë e përpjekjeve për të bërë pazare jo vetëm politike. Zyrtarë ndërkombëtarë kanë treguar se ka pasur tendenca për të negociuar me faktorin ndërkombëtar, edhe emrat e atyre qe mund të akuzohen dhe te përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale, por, thuhet se amerikanët dhe evropianët e kane mbyllur këtë temë.
Megjithëkëtë dështimi i dytë në Kuvend do të sjellë pasoja shumë të rënda për Kosovën. Fillimisht mosrespektimi i obligimeve ndërkombëtare dhe moszbatimi i tyre do ta sillte Kosovën përpara kolapsit dhe izolimit si shtet. Pavarësisht këtij fakti, Rezoluta 1244, sado që nuk është hequr, do të rikthente në skenë sërish UNMIK i cili do të luante një rol më të fuqishëm se sa ne këto vitet e fundit.
Dhe dështimi i sërishëm i Kuvendit nuk do të priste muajin shtator për aktivizim të OKB. Para Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së që organizohet në shtator, pritet të mbahet edhe një mbledhje për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Aty, pritet të shpaloset ideja e këtij institucioni për themelimin e Gjykatës Speciale nëse deri atëherë Kosova nuk e kryen këtë obligim ndërkombëtar.
Por në rastin me te mire, kur Kosova brenda vetëm pak ditësh do te votoje sërish, dhe me gjase shumë të madhe për themelimin e Gjykatës, gjërat do të marrin tjetër kahje dhe do të ndryshojnë përbërjen politike ne vend.
Me fillimin e punës së Gjykatës Speciale dhe arrestimin e të akuzuarave të parë, skena politike do të pësojë ndryshime meqë pritet qe të organizohen zgjedhjet e parakohshme nacionale. Kjo për shkak se Presidentes aktuale Jahjaga i kalon mandati më 7 prill të vitit të ardhshëm. Përplasja mes PDK’së e LDK’së pritet të ndodh me rastin e votimit të Thaçit për President.
Kundër zgjedhjes së Thaçit në këtë pozitë janë pothuajse të gjithë deputetët e LDK’së dhe Isa Mustafa do ta ketë vështirë që te sigurojë partnerin në koalicion se marrëveshja po zbatohet. Madje, deputetët e LDK kanë një konsensus për të dështuar zgjedhjen e liderit të PDK’së në krye të Shtetit. Sipas Kushtetutës vendi shkon në zgjedhje nëse presidenti dështon të zgjedhet edhe ne rrethin e trete të votimeve.