Njohësit e çështjeve politike e juridike, themelimin e Gjykatës Speciale e shohin si një moment, kur Kosova duhet të tregojë se është partner i denjë i bashkësisë ndërkombëtare.
Kuvendi i Kosovës të premten do të mblidhet në seancë, me një pikë të vetme; shqyrtimin e propozim-amendamentit 24 në Kushtetutën e Kosovës, të propozuar nga Qeveria, miratimi i së cilit, i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Subjektet politike dhe opinioni në vend është i ndarë sa i përket kësaj çështje. Por, njohësit e çështjeve juridike e politike, thonë se Kosova duhet të sillet me përgjegjësi karshi këtij obligimi ndërkombëtar, tek i cili obligim, sipas tyre, ka dërguar keqmenaxhimi i proceseve të brendshme nga liderët politikë të vendit.
Njohësit e çështjeve politike e juridike, themelimin e Gjykatës Speciale e shohin si një moment, kur Kosova duhet të tregojë se është partner i denjë i bashkësisë ndërkombëtare. Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike, thotë se duhet shikuar në dy aspekte themelimi i Gjykatës Speciale. Ai thotë se duke e pasur parasysh faktin që UNMIK-u, Gjykata e Hagës dhe EULEX-i kanë pasur mandat të plotë të bëjnë hetime dhe të ngrisin aktakuza, themelimi i një gjykate tjetër shtesë për Kosovën është një dëm moral dhe një fyerje që i bëhet Kosovës. Por, Doli thotë se tani kur Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar për themelimin e kësaj gjykate, duhet të sillet me përgjegjësi.
“Kjo jo për faktin e çështjes morale apo aspekteve tjera, por për faktin se Kosova për shkak te keqmenaxhimit të proceseve të brendshme dhe për shkak të mos kujdesit të liderëve politikë në Kosovë ka pranuar një obligim ndërkombëtar që është shndërruar tashmë në një cështje të kryer për bashkësinë ndërkombëtare dhe ndaj kësaj çështje Kosova duhet të tregohet e përgjegjshme dhe duhet të veprojë konform obligimit të saj, që do të thotë duhet të themelojë këtë gjykatë”, u shpreh Doli për Radio Kosovën.
Ndërsa, analisti politik Artan Muhaxhiri thotë se Gjykata Speciale është kriteri kryesor i partneritetit të tashëm mes Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtarë.
“Prandaj as që duhet të vihet në diskutim miratimi i ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale. Gjykata Speciale është një test për politikanët kosovarë se sa kanë vizion për bashkëpunimin me BE-në dhe se sa mund të llogaris BE-ja në ta në të ardhmen si partnerë të denjë dhe të besueshëm”, tha Muhaxhiri.
Ndryshe, opozita ka shprehur në vazhdimësi qëndrimin kundër Gjykatës Speciale. Madje shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi e ka grisur publikisht projektligjin për dhomat e specializuara duke thënë se po krijohet një tribunal ndërkombëtarë në baza etnike. Të mërkurën mbrëma liderët e opozitës janë takuar, por nuk janë koordinuar për hapat që do t’i ndërmarrin në seancën e së premtes. Nga ana tjetër, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, po ashtu janë shprehur kundër Gjykatës Speciale, e të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe të mërkurën pas takimit me kryeparlamentarin Kadri Veseli.