Gjykata Speciale shkakton zemërim në Kosovë

12.08.2016 11:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Gjykata Speciale shkakton zemërim në Kosovë

Gjykata e re Speciale, me bazë në Holandë, që do të gjykojë figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pritet të ngrejë së shpejti padi, por brenda Kosovës zemërimi për Gjykatën vazhdon të ziejë.
Java e kaluar shënoi përvjetorin e parë të miratimit të amendamenteve kushtetuese, pas një debati të nxehtë në Parlamentin e Kosovës që i hapi kështu rrugë krijimit të Gjykatës Speciale të shumëpërfolur në Hagë.

Gjykata do të trajtojë akuzat për krime të kryera nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, kundër civilëve serbë të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar të regjimit të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, gjatë dhe pas luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Një nga përgjegjësitë më të mëdha të Gjykatës do të jetë të hedhë dritë mbi pretendimet e bëra në një raport nga raportuesi i BE-së, Dick Marty, që u miratua nga Këshilli i Evropës në janar 2011.

Raporti i Dick Marty-t akuzonte lidershipin e UÇK-së, përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçi, për përfshirje në “trafik organesh, rrëmbime dhe keqtrajtim të të burgosurve” gjatë luftës.

Gjykata Speciale tashmë ka siguruar fondet dhe së shpejti do të bëhet funksionale. Më 14 qershor të këtij viti, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi një buxhet prej 29 milionë eurosh për të ashtuquajturat “dhomat speciale” dhe zyra e prokurorit special.

Brenda disa javësh, në mos edhe ditësh, pritet që paditë e para të bëhen publike dhe gjykata të bëhet më në fund funksionale.

Por pavarësisht kësaj, disa nga kritikët e saj mbeten ende skeptikë mbi faktin nëse ajo mund të vendosë apo jo drejtësinë që premton.

Një gjykatë “mono-etnike”?

Një nga argumentet kryesore të bëra nga kundërshtarët e Gjykatës Speciale është se ajo do të trajtojë vetëm krimet e pretenduara se janë kryer nga UÇK-ja. Ata e përshkruajnë atë si një gjykatë “mono-etnike” që do të nxjerrë para gjyqit vetëm shqiptarët e Kosovës.

Ilir Deda, një ish-deputet i partisë opozitare “Vetëvendosje”, tani deputet i pavarur, e krahason Gjykatën me gjyqet e Nurembergut pas Luftës së Dytë Botërore, kur një sërë gjykatash ushtarake u organizuan nga forcat aleate për të ndjekur penalisht gjermanët për krimet naziste.

“Një gjykatë mono-etnike e krijuar vetëm për Kosovën nuk merr parasysh kontekstin e luftërave në ish-Jugosllavi dhe Kosovë”, tha Deda për BIRN.

Ai tha se Kosova po vendoste një precedent duke pranuar ngritjen e një gjykate ndërkombëtare – diçka unike në ish-Jugosllavi.

“Krimet e luftës të kryera në Kosovë duhet të ishin trajtuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë”, tha Deda, duke u shprehur se ishte “e padrejtë” të ngrihej një gjykatë për të gjykuar vetëm shqiptarët.

Si për paradoks, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, një parti politike e themeluar nga lidershipi i UÇK-së, që kryesohej nga Thaçi, ka qenë mbështetësja më e madhe në vend e Gjykatës Speciale.

PDK-ja ka argumentuar se Gjykata e re është një mundësi e mirë për të pohuar edhe një herë “pastërtinë” e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Megjithatë, Deda këmbënguli se një argument i tillë është “i pakuptimtë”.

“Një nocion i tillë për “luftëra të pastra” nuk ekziston. Ka vetëm luftëra të drejta ose jo, dhe lufta jonë ishte e drejtë dhe për liri”, tha ai.

Për Nora Ahmetajn, një studiuese në OJQ-në Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim në Prishtinë, në Kosovë ka pasur një mungesë debati për individët që abuzuan me pushtetin e tyre gjatë konfliktit.

“Për këtë arsye ka konfuzion; njësoj si në shumë vende të tjera në botë, vija që ndan kriminelin/terroristin nga patrioti është shumë e hollë”, tha Ahmetaj për BIRN.

Pavarësisht faktit se ka kaluar një vit qëkur Parlamenti miratoi krijimin e Gjykatës Speciale, grindjet e vazhdueshme mbi këtë çështje e kanë mbajtur spektrin politik në Kosovë thellësisht të polarizuar.

Ndërkohë që parlamenti votoi “legjitimizmin” e krijimit të Gjykatës, kjo gjë mbetet ende e papëlqyeshme midis opozitës dhe zërat vazhdojnë të ngrihen ende kundër mandatit të saj, si edhe ka gjithashtu ankesa për presionin e ushtruar ndaj deputetëve gjatë procesit të votimit.

Presioni ndërkombëtar

Kur u miratuan amendamentet kushtetuese në gusht të vitit të kaluar, kjo gjë u bë vetëm në përpjekjen e tyre.

Një votim i mëparshëm një muaj më parë nuk arriti të merrte mjaftueshëm mbështetje nga deputetët.

Por një muaj ishte mjaftueshëm për të bërë që shtatë deputetë të ndryshonin qëndrimin e tyre fillestar kundër Gjykatës dhe të votonin në favor të krijimit të saj, edhe pse pa e shpjeguar arsyetimin e tyre mbi faktin pse ndërruan mendje.

Shumë figura të opozitës besojnë se kjo ishte rezultat i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë nga ana e komunitetit ndërkombëtar, i cili ushtroi presion mbi lidershipin e PDK-së për të bindur deputetët e saj në parlament që të ndryshonin qëndrimin e tyre, një ndërhyrje që kritikët e përshkruajnë si në kundërshtim me vlerat demokratike.

“Deputetët tanë, pa menduar në mënyrë të pavarur, dhe bazuar në kërkesat e partive politike, votuan t’i nënshtroheshin presionit të komunitetit ndërkombëtar”, tha Ahmetaj.

Megjithatë, deklaratat publike nga figurat kryesore politike në Kosovë kanë qenë në linjë me partnerët kryesorë ndërkombëtarë të vendit, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

“Gjykata Speciale është një detyrim ndërkombëtar”, tha Atifete Jahjaga, në atë kohë presidente e Kosovës, muaj para se Gjykata të merrte miratimin e saj nga Parlamenti.

Ky pretendim u përsërit shpesh, me figurat kryesore politike që theksonin vazhdimisht rolin vendimtar që fuqitë perëndimore luajtën në fitoren e pavarësisë së Kosovës dhe nevojën për të mbajtur lidhje miqësore me komunitetin ndërkombëtar për shkak se integrimi euro-atlantik i Kosovës është interesi i saj kryesor kombëtar.

Në të vërtetë, historia e Kosovës në trajtimin e krimeve të luftës gjithmonë është shënuar me gjurmët e ndërkombëtarëve.

Që prej fundit të luftës në qershor 1999, çështjet e krimeve të luftës në Kosovë janë trajtuar nga organe ndërkombëtare sepse sistemi gjyqësor në Kosovë është konsideruar shpesh si “jomjaftueshëm i aftë” për ta bërë këtë.

Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ishte në krye të çështjeve të krimeve të luftës nga viti 1999 e në vazhdim, para se t’ia transferonte përgjegjësinë misionit të sundimit të ligjit të BE-së, EULEX, në vitin 2008.

Megjithatë, në përgjithësi, edhe UNMIK-u edhe EULEX-i, pavarësisht përpjekjeve të tyre, kanë treguar se nuk janë të aftë ose nuk kanë dëshirë të ndjekin në mënyrë efikase shumë akuza për krime lufte gjatë këtyre viteve, është pretenduar.

“Fatkeqësisht, as UNMIK-u dhe as EULEX-i nuk janë treguar efikas në gjykimin e çështjeve të një natyre të ndjeshme”, tha Ahmetaj.

Programi i EULEX-it për mbrojtjen e dëshmitarëve rezultoi se kishte probleme serioze, me dëshmitarë që deklaronin se ishin kërcënuar, si edhe incidente të tjera siç ishte vetëvrasja në rrethana të dyshimta në Gjermani e Agim Zogajt, dëshmitar kyç në çështjen kundër 10 ish-luftëtarëve të UÇK-së, përfshirë ish-komandantin të shndërruar në politikan Fatmir Limaj, kreu aktual i partisë opozitare “Nisma”.

Kjo nënkuptonte se krijimi i një Gjykate jashtë Kosovës dukej të ishte e vetmja mënyrë për të trajtuar akuzat e hershme për krime lufte nga ushtarët e UÇK-së. Është raportuar tashmë se dëshmitarët e mbrojtur që do të dëshmojnë në Gjykatën Speciale janë larguar nga Kosova muaj më parë për t’u siguruar që ata nuk do të kërcënohen.

Deda i pranon të metat e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve, por thotë se zgjidhja nuk është ngritja e një gjykate në Holandë.

“Në vend që të fuqizojmë sistemin tonë gjyqësor vendas, ne po e transferojmë sovranitetin në një organ ndërkombëtar”, tha ai.

Ai tha se dëshmitarët mund të mbahen jashtë vendit për mbrojtjen e tyre, por krimet e pasluftës duhet të ishin gjykuar nga një gjykatë në Prishtinë me një përzierje gjyqtarësh nga EULEX-i dhe Kosova.

Ahmetaj ndërkohë është skeptik se sa e suksesshme do të jetë Gjykata e re për të dhënë dënime, duke marrë parasysh historinë e të dhënave të komunitetit ndërkombëtar për ndjekjet penale në Kosovë.

“Eksperienca me gjyqet për krime lufte dhe eliminime politike në Kosovë janë trajtuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i para, gjatë dhe pas konfliktit të armatosur na tregon se nuk duhet të kemi pritshmëri të mëdha nga kjo Gjykatë”, paralajmëroi ajo.

Pritet që shumë shpejt, Gjykata e re Speciale të padisë publikisht ish-komandantët e UÇK-së që dyshohet të kenë kryer krime lufte.

Gjatë 12 muajve të fundit që pas aprovimit të gjykatës, jeta politike në Kosovë është mbizotëruar nga çështje të tjera që kanë tërhequr vëmendjen vendas, por sapo paditë e para të bëhen publike, mund të shpërthejnë përsëri reagime më të forta.(BIRN)

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Shqipëria tri stërvitje të përbashkëta me Kroacinë dhe Kosovën, ministri Nufi: Nuk na shqetëson stërvitja NATO-Serbi

Shqipëria tri stërvitje të përbashkëta me Kroacinë dhe Kosovën, ministri Nufi: Nuk na shqetëson stërvitja NATO-Serbi

Haxhiu ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Alush Gashit

Haxhiu ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Alush Gashit

Abdixhiku për vdekjen e Alush Gashit: Më iku një mik i madh, do të më mungosh shumë profë

Abdixhiku për vdekjen e Alush Gashit: Më iku një mik i madh, do të më mungosh shumë profë

Hoti: Mbes i përkushtuar që familja të jetë në qendër të politikave tona

Hoti: Mbes i përkushtuar që familja të jetë në qendër të politikave tona

Haxhiu: Mbrëmë në Skenderaj nuk u pa thjesht një aksion policor, u rikthyen kujtimet e rënda për shumë qytetarë

Haxhiu: Mbrëmë në Skenderaj nuk u pa thjesht një aksion policor, u rikthyen kujtimet e rënda për shumë qytetarë

Osmani: Kosova po rrit një gjeneratë që mëson shpejt, punon fort dhe synon larg

Osmani: Kosova po rrit një gjeneratë që mëson shpejt, punon fort dhe synon larg

Kos kërkon stabilitet institucional, thotë se 2026 mund të jetë viti i Kosovës

Kos kërkon stabilitet institucional, thotë se 2026 mund të jetë viti i Kosovës

Kurti kërkon nga BE statusin kandidat dhe hapjen e negociatave për Kosovën

Kurti kërkon nga BE statusin kandidat dhe hapjen e negociatave për Kosovën

IKD: Drejtësia duhet të veprojë ndaj sulmeve, pa krijuar shqetësim dhe pasiguri te qytetarët

IKD: Drejtësia duhet të veprojë ndaj sulmeve, pa krijuar shqetësim dhe pasiguri te qytetarët

Premton Kurti: Në mandatin e ardhshëm shtesat për fëmijë do të rriten deri në 90 euro, për lehona deri në 500 euro

Premton Kurti: Në mandatin e ardhshëm shtesat për fëmijë do të rriten deri në 90 euro, për lehona deri në 500 euro

Çudia në ndërmarrjen “Pastërtia”, vetëm 40 cent diferencë vendosin fituesin e tenderit për sigurimin e automjeteve

Çudia në ndërmarrjen “Pastërtia”, vetëm 40 cent diferencë vendosin fituesin e tenderit për sigurimin e automjeteve

Musliu: Provokim direkt nga Kurti për ta nënshtruar Skenderajn

Musliu: Provokim direkt nga Kurti për ta nënshtruar Skenderajn

Pamje nga qendra e Skënderajt, qytetarët përballë pjesëtarëve të Njësisë Speciale: Për çka jeni ardhë…

Pamje nga qendra e Skënderajt, qytetarët përballë pjesëtarëve të Njësisë Speciale: Për çka jeni ardhë…

Thaçi nga Haga godet ata që e quanin flamurin ‘lara-lara’

Thaçi nga Haga godet ata që e quanin flamurin ‘lara-lara’

Osmani zbulon detaje të tjera: Qeveria Kurti ka thënë se ishte gabim i madh që u ula në tryezë me presidentin Trump

Osmani zbulon detaje të tjera: Qeveria Kurti ka thënë se ishte gabim i madh që u ula në tryezë me presidentin Trump

Florin Krasniqi: Kurti duhet me iu kërku aktivistëve të mos fyejnë, kur i ofendon njerëzit duhet me u ballafaqu

Florin Krasniqi: Kurti duhet me iu kërku aktivistëve të mos fyejnë, kur i ofendon njerëzit duhet me u ballafaqu