Qeveria e kryeministrit, Isa Mustafa, ka gjasa që javën e ardhshme, menjëherë pas vizitës së ndihmëssekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland në Kosovë, t’ia procedojë Kuvendit amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se këtë javë nuk pritet të ketë diçka të jashtëzakonshme, duke aluduar kështu për Dhomat e Specializuara, i cili tha se me aprovimin e Gjykatës Speciale nuk bëhet “kiameti”.
Këto komente Veseli i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u konfirmua se as këtë javë legjislativi nuk do t’i ketë para vetes amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës, të cilat u hodhën poshtë një javë më parë nga deputetët në seancën plenare të 26 qershorit.