Dhjetëra dëshmitarë të mbrojtur, që pritet të dëshmojnë në proceset gjyqësore kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, që do të nisin vitin e ardhshëm në Gjykatën Speciale, tashmë janë vendosur në vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Gjykata Speciale, e cila pritet të nis punën vitin e ardhshëm në Holandë, që të trajtojë akuzat për krime lufte të cilat burojnë nga Raporti i Martit, pritet të funksionalizohet pas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës Holandës dhe BE-së.
Sipas burimeve të Gazetës Express, dëshmitarët e mbrojtur janë ish –pjesëtarë të të UÇK-së, që kanë njohuri për krimet e luftës që kanë ndodhur.
Po ashtu bëhet e ditur se tashmë komandantët janë në dijeni për dëshmitarët të cilët pritet të dëshmojnë me identitet të mbrojtur për krimet e luftës.
Krerëve të UÇK-së të cilët aktualisht mbajnë poste të larta politike në skenën kosovare mund t’u ngrihen akuza menjëherë pas fillimit të punës të Gjykatës Speciale.
Sipas zyrtarëve të lartë të BE-së aktakuzat e para pritet të ngriten në fillim të vitit të ardhshëm.