Gjykata në Prishtinë del me reagim pasi i la të lirë tre të dyshuarit që u kapën me 1 milion euro cash

E publikuar: 27/02/2026 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka vendosur të refuzojë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarve që u kapen me 1 milion euro cash.

Pas kësaj Gjykata ka dal me reagim.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikes së Kosovës, ndërsa të pandehurit janë liruar menjëherë, nga momenti i dorëzimit të këtij aktvendimi. Gjykata gjeti se në këtë rast nuk përmbushet kushti thelbësor nga neni 184 paragrafi 1 pika 1 .1 të KPPRK-së, përkatësisht Prokuroria nuk arriti të vërtëtoj se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L., kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, pasi sipas Gjykatës në kërkesën e Prokurorisë nuk është përmendur asnjë provë, sado sipërfaqësore, në të cilën Prokuroria e mbështet pretendimin e saj lidhur me dyshimin e bazuar”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimit të gjykatës, kërkesës për caktimin e paraburgimit nuk i janë bashkëngjitur as provat minimale për këtë fazë të procedurës, sic janë procesverbali i kontrollit të automjetit e as vërtëtimi për sekuestrim të sendeve, të cilat janë prova të domosdoshme për krijimin e bazës për caktimin e paraburgimit.

“Andaj duke u gjendur në këtë situatë dhe në mungesë të materialit provues, gjykata është e obliguar të zbatoj nenin 163 par.3 të KPPRK-së dhe të liroj të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L”.