Gjykata merr vendim për pesë të arrestuarit nën dyshimet se kanë kryer krime lufte

E publikuar: 03/08/2024 20:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji secilit prej pesë të arrestuarve të cilët dyshohen për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Në njoftim thuhet se gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi sipas tyre, nëse të pandehurit lihen në liri, paraqesin rrezik që t’i ikin procedurave penale, pasi janë shtetas të Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë.

“Po ashtu mund të bëjnë përpjekje të zhdukin provat materiale si dhe të ndikojnë në të dëmtuar ose në të pandehur të tjerë, të cilët gjenden në arrati, andaj gjyqtari i procedurës paraprake vlerësojë se masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhen e pa penguar në këtë çështje juridiko – penale”.

“Të pandehurit D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J dyshohen se në bashkëkryerje të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe më datë 05.04.1999 në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuan popullatën civile shqiptare, si dhe kishin shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare.” – thuhet në njoftimin e gjykatës.